• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Në Los Anxhelos ndarja e 96-të e çmimeve Oskar

Në Los Anxhelos ndarja e 96-të e çmimeve Oskar

Los Anxhelos, 10 mars 2024 (MIA) - Ndarja e 96-të e çmimeve Oskar, çmimit prestigjioz të Akademisë së Arteve Filmike dhe Shkencës do të mbahet sonte në teatrin Dolbi në Holivud. Udhëheqës i shout do të jetë Xhimi Kimell.

Ardhja e yjeve në Qilimin e kuq do të fillojë në orën  23:30, ndërsa në mesnatë fillon ceremonia e 96-të e Oskarit dhe do të zgjasë deri në orën 3:30 të mëngjesit. 

Filmi i Kristofer Nollan, "Openhajmer" udhëheq me 13 nominime, ndërsa "Krijesat e gjora" i Jorgos Lantimos ka 11 nominime. Filmi "Vrasësit e hënës me lule" ka marrë 10 nominime, ndërsa "Barbi" ka tetë nominime. 

Në kategorinë e filmit më të mirë janë nominuar: "Fiksioni amerikan", "Anatomia e rënies", "Barbi", "Të tjerët", "Vrasësit e hënës me lule", "Maestro", "Openhajmer", "Jetët e kaluara", "Krijesat e gjora" dhe "Zona e interesit".

Bredli Kuper, Kolman Domingo, Poll Xhiamati, Kilian Marfi dhe Xhefri Rajt janë emëruar si aktori më i mirë, ndërsa si aktore më e mirë janë emëruar Anet Bening, Lili Gledston, Sandra Hulet, Keri Maligan dhe Ema Stoun.

Si prezantues do të paraqiten Xhejmi Li Kertis, Brendan Frejzer, Xhesika Lang, Metju Mekkonahi, Al Paçino, Mishell Fajfer, Mishell Jeo, Xhenifer Lorens, Zendaja dhe shumë yje të tjera. 

Billi Ajllish, Rajan Gosling dhe Beki Xhi janë në mesin e interpretuesve të këngëve të filmave të cilat do të intepretohen në Skenën e Oskarit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR