• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Klinikën e Hematologjisë hapet Qendra për Transplantimin e Qelizave Staminale Hematopoetike 

Në Klinikën e Hematologjisë hapet Qendra për Transplantimin e Qelizave Staminale Hematopoetike 

Shkup, 25 janar 2024 (MIA) - Në Klinikën universitare për hematologji nga sot do të vihet në përdorim Qendra e sapohapur për transplantimin e qelizave staminale hematopoietike në Klinikën për Hematologji. Qendra ka pajisje moderne mjekësore që mund të trajtojnë 120 pacientë të rinj në vit.

Kjo qendër ndodhet në një kat tërësisht të ri me një sipërfaqe prej 800 m2, donacion i Ambasadës Amerikane, e cila nëpërmjet Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane e ka mbështetur financiarisht ndërtimin me një milion euro. Fondet shtesë sigurohen nga FSSH-ja me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë.

Drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Irina Panovska Stavridis njoftoi se bëhet fjalë për Qendrën rajonale për transplantimin e qelizave staminale hematopoietike ku përveç të siguruarve të Maqedonisë së Veriut, ka kapacitet tëtrajtojë edhe pacientë nga Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria, vende ku këto ndërhyrje nuk janë ende të disponueshme.

"Ky është një investim shumë i rëndësishëm në shëndetin publik këto vitet e fundit. Me hapjen e kësaj Qendre për transplantimin e qelizave staminale hematopoietike, në Klinikën tonë prezantohen standardet më të larta botërore për trajtimin e një prej sëmundjeve hematologjike më të vështira. Transplantimi i qelizave staminale hematopoietike është ndërhyrja biologjike më komplekse, gjatë së cilës qelizat e pacientit zëvendësohen me qeliza staminale të një dhuruesi të shëndetshëm, të cilat mund të kurojnë sëmundjet hematologjike malinje më të rënda", tha Panovska Stavridis gjatë hapjes solemne të Qendrës. 

Siç theksoi ajo, për nevojat e kësaj Qendre planifikohen edhe 30 punësime të reja të personelit mjekësor.

Ajo njoftoi se nga viti 2018 e deri më sot janë kryer gjithsej 320 transplante. Nga sot, theksoi ajo, ky numër pritet të rritet me dyfishin e transplanteve në vitet e ardhshme.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në fjalimin e tij tha se çdo vit do të trajtohen së paku 50 deri në 60 pacientë nga vendi dhe 10 deri në 15 persona nga vendet fqinje, të cilat deri më tani objekti nuk kishte kapacitet hapësinor për t'i pranuar.

"Me këtë investim të konsiderueshëm, ne shënojmë fillimin e punës së këtij reparti të ri, duke u ofruar pacientëve kushte trajtimi ashtu siç ofrohen nga qendrat më bashkëkohore të këtij lloji në botë. Kapaciteti i ri, së bashku me metodat më bashkëkohore të trajtimit dhe kujdesit mjekësor, i mundëson klinikës t'i shërbejë jo vetëm shëndetësisë publike, por në të njëjtën kohë e vendos atë në krye të qendrave më të rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve hematologjike në rajon dhe më gjerë", shtoi Mexhiti.

Nënkryetari i parë i Qeverisë Artan Grubi tha se prioritet i Qeverisë së re pas 8 majit duhet të jetë ndërtimi i Qendrës së re Klinike, sepse siç tha ai është një nevojë eminente e qytetarëve.

"Ky projekt është një konfirmim se gjithçka që marrim nga Rusia janë probleme dhe provokime, dhe gjithçka që marrim nga qeveria amerikane është mbështetje për aspiratat tona evropiane", shtoi Grubi.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska theksoi se ngjarja e sotme tregon se aleanca dhe partneriteti strategjik me SHBA-në i kapërcen të gjithë kufijtë dhe ka demonstruar dimensionin e saj humanitar.

Në pyetjen e gazetarëve se sa donatorë ka në vend dhe sa ka interesim, drejtoresha Panovska Stavridis theksoi se entuziazmi i qytetarëve tanë nuk është i madh për t'u regjistruar në regjistër.

Ajo njoftoi se në Kroaci janë rreth 70 mijë, por në vendin tonë janë vetëm pesë mijë donatorë vullnetarë.

Lidhur me këtë çështje, ministri Mexhiti tregoi se ka biseduar me disa kryetarë të komuniteteve fetare me qëllim të vetëdijesimit për dhurimin.

"Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe prandaj shpresoj që në të ardhmen t'i bëjmë të gjithë kryetarët e komuniteteve fetare së bashku me gazetarët dhe mediat dhe do të ulemi të diskutojmë se si të ndërgjegjësojmë qytetarët dhe për të luftuar, për të shpëtuar jetën përmes këtij lloj akti human”, shtoi Mexhiti. qa

Foto: MIA, Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR