• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Kamjan të Tetovës ka filluar me punë fabrika për prodhimin e telave dhe tubave të bakrit

Në Kamjan të Tetovës ka filluar me punë fabrika për prodhimin e telave dhe tubave të bakrit

Tetovë, 19 maj 2023 (MIA)- Me një ceremoni solemne sot është shënuar fillimi i punës në fabrikën për prodhimin e bakrit të pastër, telave të bakrit dhe tubave të bakrit në Kamjan të Tetovës ku morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, komunave dhe institucioneve tjera. Kompania “Multipark Izairi” është në pronësi të vëllezërve Nuhi dhe Nebi Izairi nga fshati Kamjan të cilët e kanë ndërtuar fabrikën pas disa dekadash punë në Gjermani.

“Thuajse dy vjet ka zgjatur projekti investues ku fillimisht u investua në tokë dhe kapacitete, më pas në linjën e prodhimit dhe trajnimin e stafit. Kompania fillimisht do të merret me prodhimin e telave të bakrit me diametër 8-25 milimetra që përdoret në industritë e energjisë elektrike. Investimi i deritashëm ka arritur në rreth 3.2 milionë euro ndërsa plani strategjik është të vazhdohet edhe më tej me investime shtesë. Kapaciteti prodhues varet nga lloji dhe diametri i telit që prodhohet, por mesatarja është diku rreth 5.000 ton në vit sipas kapacitetit aktual. Falë mbështetjes nga pushteti lokal dhe qendror, arritëm të kemi fabrikë në Maqedoninë e Veriut me të njëjtat kushte si në Gjermani”, tha në hapjen Lumni Ajvazi, drejtor i “Multipark Izairi”.

"Çdo investim i cili ndodh nga një mërgimtarë në RMV do të mbeshtetet deri në 1 milion euro mjete të pakthyeshme nga Qeveria, me qëllim që mundi dhe sakrifica e tyre të kthehet në vendin e vet", ka deklaruar nga ana tjetër ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në hapjen solemne të fabrikës për prodhimin e telave dhe tubave të bakrit të kompanisë Multipark Izairi në Kamjan të komunës së Bogovinës.

Rajoni i Pollogut dhe komunat të cilat gravitojnë në këtë rajon mbështeten me mbi 60% më shumë nga po i njejti investim nëse ndodhë në ndonjë rajon tjetër duke filluar nga rajoni i qytetit të Shkupit, si rajon më i zhvilluar.

Bekteshi theksoi se me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja por jo vetëm nga kompani të cilat kanë pronësi të huaj por edhe nga bashkëvendasit tanë të cilët jetojnë jasht shtetit, me ndryshimet e fundit çdo investim i cili do të ndodhë në Maqedoninë e Veriut nga çdo mërgimtar i cili ka punuar dhe vepruar në diasporë 5 vitet paraprake do të mbështetet me 15% shtesë e cila i takon një kompanie të huaj e cila nuk ka pronësi nga një shtetas apo bashkëkombës.

"Ne si Qeveri këtë kompani do ta kemi prioritet për ta marrë si shembull që duhet ndiqet nga ato të cilët mund ta bëjnë të njëjtën. I uroj sukses kompanisë Multipark Izairi dhe të mos ndalemi këtu por të zhvillojmë kapacitetet ekzistuese dhe se përkrahja jonë nuk do të mungojë asnjëherë", ka deklaruar Bekteshi.

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi tha se kjo ditë është një tregues i qartë se si Qeveri jemi thellësisht të përkushtuar që përmes politikave ekonomike efikase të krijojmë një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, siç dëshmohet nga suksesi i kësaj kompanie me të cilën Qeveria ka partneritet që në fillimet e saj.

“Mbështetja e Qeverisë e cila e mbështet këtë kompani përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve është tregues i politikave të suksesshme ekonomike të vendit, dhe krijon një klimë të volitshme për kompanitë, duke i stimuluar ato të hyjnë në cikle të reja investimi. Marrëveshjen për ndihmë financiare investive Multipark Izairi e ka nënshkruar në vitin 2021 dhe vetëm për ciklin investues të atij viti kompania ka marrë ndihmë financiare shtetërore prej 47 milionë denarë, e cila do të vazhdojë deri në përfundim të projektit të tyre”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se Multipark Izairi mbështetet nga masat “Investime dhe të ardhura kapitale” si dhe me masën “Zhvillimi i balancuar rajonal”, por vlen të veçohet edhe mbështetja financiare që ne ofrojmë përmes masën “Kthimi nga diaspora”, që ka rëndësi të veçantë për Qeverinë.

“Është e rëndësishme për ne që të sigurojmë që të gjitha rajonet të kenë të njëjtat mundësi për rritje dhe përparim ekonomik. Në këtë drejtim, Qeveria mori masa për zhvillim të drejtë rajonal dhe rezultatet janë të dukshme. Sot premtimi është realizuar, vitin e kaluar mbi 66% e mbështetjes financiare ka qenë për zhvillim të barabartë rajonal. Ky nuk është vetëm një numër, por një dëshmi e vendosmërisë sonë për të ndryshuar imazhin ekonomik të vendit tonë dhe për të inkurajuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët tanë”, tha Bytyqi.

“Nuk mund ta harrojmë diasporën e cila është thellësisht e lidhur me identitetin dhe historinë tonë. Për ne diaspora është një burim i madh njohurish dhe një partner i rëndësishëm në zhvillimin tonë ekonomik dhe kulturor. Prandaj, me krenari ju prezantojmë një premtim tjetër të realizuar, ndihmë financiare prej 15% për sipërmarrësit nga diaspora. Kjo ndihmë është një shprehje e brengës sonë dhe një ftesë për t’u bashkuar me ne në ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur për vendin tonë”, tha Bytyqi.

Ai tha se Multipark Izairi simbolizon vizionin dhe përpjekjet e përbashkëta të Qeverisë, investitorëve dhe qytetarëve për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të drejtë.

“Ne shohim në këtë kompani jo vetëm një iniciativë të suksesshme biznesi, por edhe një fushë pjellore për inovacion, bashkëpunim dhe rritje ekonomike. Sot, ne jemi krenarë për arritjet tona të përbashkëta dhe rrugëtimin që kemi bërë për të arritur këtu. Por ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të gjatë drejt suksesit dhe rritjes së qëndrueshme. Kjo kompani është shembull konkret i përkushtimit tonë për të krijuar vende të reja pune, për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve tanë. Ne besojmë në potencialin tonë për të krijuar një mjedis të volitshëm për bizneset, duke ofruar mbështetjen e nevojshme për rritjen e inovacioneve dhe konkurrueshmërisë në tregun global”, tha Bytyqi në fjalimin e tij dhe kërkoi të punojmë së bashku për të realizuar potencialin tonë, për të rritur investimet, për të hapur vende të reja pune dhe për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit tonë.

Foto: MIA/Qeveri

 

QËNDRONI TË LIDHUR