• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Indi paralajmërohet zbatimi i ligjit për shtetësi, muslimanët i frikësohen margjinalizimit

Në Indi paralajmërohet zbatimi i ligjit për shtetësi, muslimanët i frikësohen margjinalizimit

Nju Delhi, 12 mars 2024 (MIA) - Qeveria e kryeministrit indian, Narendra Modi dje i shpalli rregullat për zbatimin e Ligjit të shtetësisë nga viti 2019 i cili përjashton myslimanët.

Ligji i ndryshimit dhe plotësimit të shtetësisë siguron një rrugë të shpejtë drejt natyralizimit për hindusët, parsisët, sikët, budistët, xhainët dhe të krishterët që ikën në Indi, një vend me shumicë hindu, nga Afganistani, Bangladeshi dhe Pakistani përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Ligji përjashton myslimanët që janë shumicë në të tre vendet.

Ligji u miratua nga Parlamenti i Indisë në vitin 2019, por qeveria e Modit u tërhoq nga zbatimi i tij pasi protestat vdekjeprurëse shpërthyen në kryeqytet, Nju Delhi dhe vende të tjera, duke lënë dhjetëra viktima.

Protestat kombëtare në vitin 2019 tërhoqën njerëz të të gjitha besimeve të cilët thanë se ligji minonte themelin e Indisë si një komb laik. Myslimanët ishin veçanërisht të shqetësuar se qeveria mund të përdorte ligjin, të kombinuar me një regjistër kombëtar të propozuar të qytetarëve, për t'i margjinalizuar ata.

Regjistri kombëtar i qytetarëve është pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Modit për të identifikuar dhe deportuar njerëzit që pretendon se kanë hyrë ilegalisht në Indi. Regjistri është zbatuar vetëm në shtetin verilindor të Asam dhe partia në pushtet Bharatija Xhanata premtoi se do të zbatojë një program të ngjashëm verifikimi të shtetësisë në të gjithë vendin.

Qeveria Modi ka mbrojtur Ligjin e shtetësisë nga viti 2019 si një gjest humanitar. Besohet se ligji synon vetëm të zgjerojë shtetësinë tek pakicat fetare që ikin nga persekutimi dhe nuk do të përdoret kundër qytetarëve indianë.

"Këto rregulla tani do t'u mundësojnë pakicave që persekutohen për arsye fetare në Pakistan, Bangladesh dhe Afganistan të marrin nënshtetësinë e vendit tonë," shkroi ministri i Brendshëm Amit Shah në platformën "X".

Partia kryesore e Kongresit opozitare vuri në dyshim njoftimin e zbatimit të ligjit, duke thënë se "koha e zgjedhjeve është krijuar qartë për të polarizuar votuesit".

Në deklaratën, organizata për të drejtat e njeriut Amnesti India e quajti ligjin "diskriminues" dhe vlerësoi se ai është "kundër vlerave kushtetuese të barazisë dhe rregulloreve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut". Deklarata thoshte se ligji "legjitimon diskriminimin në bazë të fesë" dhe se ai është "përjashtues në strukturën dhe qëllimin e tij". qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR