• e premte, 05 dhjetor 2025

Në Gjykatë dëshmi të mjekëve dhe të dëmtuarve në rastin "Onkologjia"

Në Gjykatë dëshmi të mjekëve dhe të dëmtuarve në rastin

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot në lidhje me rastin “Onkologjia”, para Gjykatës dëshmuan dy mjekë specialistë dhe përfaqësues të pacientëve të dëmtuar. Daniella Poposka, onkologe dhe radioterapeute, e cila shumë vite ka punuar në klinikë, sqaroi në lidhje me atë me cilat ilaçe mund të kombinohet ilaçi palbociklit. 

Ajo theksoi se ai nuk kombinohet me hemoterapi ose bevacizumab, por me terapi hormonale si anasterzol ose fulvestrand.

“Ilaçi palbociklit nuk jepet bashkë me hemoterapi ose bevacizumab. Në praktikën klinike kombinohet me terapi hormonale, si anasterzol ose fulvestrand, por jo edhe me megace”, tha ajo. 

Shtoi se në periudhën kur ka punuar në klinikë, çdo mjek ka dhënë propozim për terapi, por vendimin përfundimtar e ka sjellë drejtori, ndërsa konsulta për target terapi nuk ka pasur. 

"Gjatë periudhës për të cilën po më pyetni, çdo mjek specialist shkruante propozim për terapi, duke përfshirë biologjike dhe imunoterapi, por më pas historitë e pacientëve i shkonin drejtoreshës për miratim dhe nënshkrim", tha ajo, duke shtuar se nuk pati konsulta.

Zoran Atanasov, mjek me përvojë 35-vjeçare, dëshmoi se vendimet për target terapi së pari janë sjellë me nënshkrim të drejtorit, ndërsa pastaj ishte vendosur kolegjium profesional me udhëheqës të reparteve. 

“Së pari ishte me nënshkrimit e drejtorit, ndërsa më pas bëmë konsultë ku ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e reparteve dhe ku u vendos se cila dhe nëse do të merrej ajo terapi”, tha ai.

Sipas tij, protokollet për dozën e ilaçeve ndryshojnë me përparimin e shkencës, ndërsa çdo terapi duhet të bazohet në analiza mjekësore. 

Në seancë, e akuzuara Simonida Cërvenkovska u parashtroi pyetje kolegëve për mënyrën e dhënies së terapive të caktuara, përderisa prokuroria insistonte të konfirmojë nëse procedurat ishin në përputhje me protokollet.  

Dëshmitari – djali i pacientit të dëmtuar deklaroi se babai i tij ka marrë terapi dhe rrezatim, por ka pasur probleme me caktimin e skanimit PET, i cili në vend se në qershor ishte bërë madje në fund të gushtit. 

“Lidhur me skanimin PET, ai duhej të bëhej në qershor, për çka më informuan se listat bëheshin nga dr. Nino Vasev, unë vetëm shkova te Vasevi në zyrë ku ai dhe një zonjë tjetër, supozoj se ishte infermiere, ishin të pranishme. I thashë pse kisha ardhur, ai shkroi emrin dhe mbiemrin e babait tim dhe informacionin tim të kontaktit dhe më informoi se kjo ishte lista për skanimin PET, zakonisht pacientët thirren për incizim çdo dy deri në tre javë. Pritëm dy, tre, katër javë, askush nuk na telefonoi, u ktheva te dr. Nino Vasev dhe ai mori përsëri një fletë të bardhë letre dhe tha ja po fillojmë një listë të re përsëri dhe e shkroi përsëri. Qendra PET më informoi herën e dytë se emri i babait tim nuk ishte fare në listën e dytë”, tha ai.

Dëshmitari deklaroi se diagnoza nga Dubai - adenokarcinomë jo-qelizore në fazën e katërt - u konfirmua nga teste të përsëritura në një laborator privat në Maqedoni. Ai gjithashtu konfirmoi se babai i tij kishte marrë transfuzione gjaku dhe ilaçe kundër dhimbjeve dhe njoftoi se po i bashkohej ndjekjes penale.

Ish drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë Simonida Crvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Procedura filloi kundër një onkologeje tjetër, të akuzuarës së dytë Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë para Gjykatës, pas çka Gjykata e dënoi me dy vjet burgim me kusht.

Aktakuza i ngarkon mjekët me vazhdimin e "krimeve të rënda kundër shëndetit të njerëzve" dhe "trajtim neglizhent", ku 29 pacientë u trajtuan me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore. Përveç kësaj, Vasev dhe ish-drejtori ekonomik i Klinikës janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR