Në Dibër shënohet Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe
- Me disa ngjarje në Dibër, në mënyrë tradicionale u shënua Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe, 22 Nëntori.
- Post By Besnik Shuki
- 15:37, 22 nëntor, 2025
Dibër, 22 nëntor 2025 (MIA) - Me disa ngjarje në Dibër, në mënyrë tradicionale u shënua Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe, 22 Nëntori.
Një delegacion i komunës së Dibrës, i udhëhequr nga kryetari i Komunës, Fisnik Mela dhe përfaqësues të qytetit, kanë shprehur respekt me vendosjen e luleve në përmendoren e alfabetit, ku janë edhe bustat e rilindasve shqiptarë, Said Najdeni dhe Josif Bageri, që gjenden në qendër të qytetit.

"Sot shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare – miratimin e alfabetit shqip në Kongresin në Manastir. Kjo ditë simbolizon unitetin, vizionin dhe vendosmërinë e rilindësve tanë, të cilët i dhanë gjuhës sonë një standard të përbashkët dhe hapën rrugën për arsimin bashkëkohor shqip", tha Mela.
Ai shtoi se alfabeti është themeli i dijes, kulturës dhe identitetit tonë.
"Përmes tij, gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme mësojnë të shkruajnë historinë e tyre dhe të vazhdojnë trashëgiminë tonë gjuhësore dhe kombëtare. Le ta festojmë këtë ditë me respekt për veprën e paraardhësve tanë dhe me përkushtim për ruajtjen, zhvillimin dhe nderimin e gjuhës shqipe", tha Mela.
Shkollat në qytet po ashtu e shënuan ditën me ngjarje të përshtatshme kulturore dhe artistike. bsh/
Foto: MIA