• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Në Argjentinë mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Në Argjentinë mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Buenos Aires, 22 tetor 2023 (MIA) - Në Argjentinë sot mbahen zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Përveç shefin e shtetit, qytetarët e vendit do të duhet të zgjedhin edhe 130 deputetë dhe 24 senatorë në Kongres. 

Pesë kandidatë po luftojnë për postin më të lartë në shtet. Beteja kryesore do të jetë midis ministrit të Ekonomisë Sergio Masa, i propozuar nga koalicioni qeverisës Aleanca për Atdheun, ish-ministres së Sigurisë Patrisha Bullrih, e cila përfaqëson koalicionin më të madh të opozitës Së bashku për Ndryshim, dhe deputetit Havier Millej. Ai është në krye të Partisë Libertariane, e cila është pjesë e aleancës "Liria po vjen".

Shefi aktual i shtetit, Alberto Fernandez, imazhi i të cilit ra nën 20 për qind, që në prill njoftoi se nuk do të kandidojë për mandat të ri, edhe pse këtë ia lejon Kushtetuta. 

Sipas rezultateve të zgjedhjeve paraprake të mbajtura në gusht, numri më i madh i votave (31%) i takoi Millej, i cili më parë nuk konsiderohej favorit. Shumica e anketave tregojnë se ai mbetet favorit në garë, por diferenca mes kandidatëve është e vogël dhe ka gjasa për rreth të dytë. Sipas rezultateve të hulumtimit të opinionit publik, Millej dhe Masa kanë shanset më të mira për të marrë pjesë në rrethin e dytë të garës zgjedhore.

Që të fitojë në rrethin e parë, kandidati me mbështetje më të madhe duhet të fitojë më shumë se 45 për qind të votave, ose 40 për qind, me kusht që dallimi me rivalin e tij më të afërt të jetë të paktën 10 pikë përqindjeje. Nëse asnjëri nga pretendentët nuk e arrin këtë rezultat, rrethi i dytë i votimit do të mbahet më 19 nëntor. 

Inaugurimi i presidentit të sapozgjedhur do të mbahet më 10 dhjetor. 

Zgjedhjet vijnë në mes të një krize ekonomike të përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit dhe një thatësire të paprecedentë në historinë e Argjentinës. Në fund të vitit, inflacioni në vend pritet të jetë së paku 100 për qind. Rritja e çmimeve po nxit rënien e vlerës së monedhës kombëtare në bursë dhe tregun e zi që ekziston për shkak të kufizimeve për blerjen e dollarëve në vend, të futura për shkak të mungesës së rezervave valutore. Niveli i varfërisë në vend është 40 për qind.

Vendvotimet do të jenë të hapura nga ora 8:00 sipas kohës lokale (13:00 sipas kohës sonë), ndërsa do të mbyllen në orën 18:00 (23:00 sipas kohës sonë).

Votimi është i detyrueshëm për të gjithë qytetarët e Argjentinës mbi 16 vjet. Rezultatet preliminare do të publikohen më vonë në orët e natës. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR