Murtezani: Zgjerimi nuk duhet të bëhet peng i politikave të identitetit, por duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës
- Dialogu, shoqëria civile dhe rinia nuk janë vetëm privilegj, por ato janë shtylla thelbësore të një Evrope demokratike në procesin e zgjerimit, theksoi sot ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani pas pjesëmarrjes së tij në Forumin e zgjerimit të BE-së me titull "Ndërtimi i një të ardhme gjithëpërfshirëse në BE të zgjeruar: Roli i dialogut social, shoqërisë civile dhe përfshirjes së të rinjve" në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 20:13, 17 korrik, 2025
Bruksel, 17 korrik 2025 (MIA) - Dialogu, shoqëria civile dhe rinia nuk janë vetëm privilegj, por ato janë shtylla thelbësore të një Evrope demokratike në procesin e zgjerimit, theksoi sot ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani pas pjesëmarrjes së tij në Forumin e zgjerimit të BE-së me titull "Ndërtimi i një të ardhme gjithëpërfshirëse në BE të zgjeruar: Roli i dialogut social, shoqërisë civile dhe përfshirjes së të rinjve" në Bruksel.
"Maqedonia e Veriut është e gatshme të vazhdojë të ecë në rrugën evropiane në këtë frymë dhe me vendosmëri të përtërirë kombëtare. Debatet e sotme e kanë konfirmuar edhe një herë të vërtetën evidente, por shpesh të anashkaluar, se procesi i zgjerimit nuk është vegël gjeopolitike, por përkushtim moral. Përkushtimi ndaj demokracisë, dialogut dhe dinjitetin e çdo qytetari evropian, pavarësisht nga kufijtë, historia ose gjuha që flet, tha Murtezani në konferencën e përbashkët për media me kryetarin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), Oliver Ropke dhe ministren malazeze për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq.
Murtezani theksoi se në procesin e aderimit, vendi kaloi një rrugë të gjatë të shënuar me qëndrueshmëri, reformat dhe bindje të palëkundur se Bashkimi Evropian, para së gjithash, është Bashkim i vlerave, por megjithatë ka edhe momente kur përkujtojmë se parimet duhet të mbrohen me po aq vendosmëri, si edhe kufijtë.
"Zgjerimi nuk duhet të bëhet peng i politikave të identitetit, por duhet t'u përmbahet vazhdimisht kritereve të Kopenhagës - të qarta, të drejta dhe të zbatueshme për të gjithë. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë përmes zbatimit të reformave, ndërtimit të institucioneve dhe kultivimit të dialogut social. Në të njëjtën kohë, jemi të bindur fuqimisht se Bashkimi Evropian, për të cilin besojmë se është ndërtuar mbi drejtësinë, respektin dhe gjithëpërfshirjen, gjithashtu do të vazhdojë të kontribuojë në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane", theksoi Murtezani.
Lidhur me Planin për rritjen e Ballkanit Perëndimor, Murtezani theksoi se është instrument që duhet të ndihmojë vendet kandidate për të arritur qëllimin përfundimtar - anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu ndihmon jo vetëm në luftën kundër euroskepticizmit, por gjithashtu lejon qytetarët e këtyre vendeve të ndiejnë disa përfitime që ishin parashikuar më parë ekskluzivisht për qytetarët e anëtarëve të Bashkimit Evropian.
"Mendoj se do të përfaqësojë mbështetje shtesë dhe kapital politik për integrimin evropian. Unë vetëm do të doja të shtoja se integrimi gradual është i rëndësishëm, por ai asnjëherë nuk mund të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotfuqishëm", tha Murtezani.
Ropke, nga ana e tij, theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm strategji gjeopolitike, por premtim demokratik dhe kjo duhet të inkurajojë pjesëmarrjen e të rinjve në sektorin civil dhe në dialogun e mirëfilltë.
"Sot patëm angazhim të qartë nga partnerët tanë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe të tjerët, dhe këto janë jo vetëm sinjale politike, por edhe detyrime morale dhe sociale. Nëse ky proces dëshiron të ruajë besueshmërinë, ai duhet të jetë i drejtë, i bazuar në merita dhe i parashikueshëm", tha Ropke.
Ai theksoi se Komiteti mbështet qëllimin e Malit të Zi për t'u anëtarësuar në BE deri në vitin 2028 dhe shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia ta bëjnë këtë deri në fillim të dekadës së ardhshme.
Ropke theksoi se forumi i sotëm nuk është vetëm debat formal, por edhe përpjekje për t'i dhënë një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse procesit të zgjerimit, me përfshirjen aktive të shoqërisë civile në të dhe me dialog të fortë social.
"Ne jemi të bindur se aderimi nuk mund të negociohet vetëm me dyer të mbyllura, por duhet të përfshijë edhe ata që mbajnë ritmin e reformave - shoqërinë civile, partnerët socialë dhe veçanërisht brezin e ri", tha Ropke.
Ai theksoi se kjo është arsyeja pse KESE ka marrë vendim të përfshijë shoqërinë civile të organizuar nga vendet kandidate në formësimin e mendimeve të saj së bashku me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, sepse qëllimi i Komitetit nuk është të flasë me kandidatët, por të bashkëpunojë me ta.
Sipas Ropke, zgjerimi nuk mund të arrihet pa mbështetje financiare të qëndrueshme, adekuate dhe të synuar për procesin e aderimit, prandaj, në këtë kontekst është sinjal i mirë që propozimi për Kornizën shumëvjeçare financiare të radhës të BE-së për periudhën 2028-2034 parashikohet qasje e kandidatëve për anëtarësim në të gjithë paketën e veglave të instrumentit "Evropa Globale".
Ministrja Gorçeviq theksoi se aderimi i Malit të Zi në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian në shkurt të vitit 2024 ishte moment i rëndësishëm në rrugën e tij evropiane, pasi jo vetëm që
thelloi bashkëpunimin, por gjithashtu riafirmoi angazhimin e tij për politikëbërjen gjithëpërfshirëse dhe promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane.
Ajo shtoi se beson se dialogu social me shoqërinë civile dhe angazhimi i të rinjve janë shtyllat e një Evrope elastike dhe demokratike, prandaj Mali i Zi ka bërë përpjekje për pjesëmarrje aktive të sektorit civil në negociatat e anëtarësimit në BE.
"Mali i Zi aderon drejt procesit të zgjerimit me seriozitet, pjekuri materiale dhe vendosmëri, me të gjithë kapitujt negociues të hapur dhe shtatë tashmë të mbyllur, me qëllimin e qartë të përfundimit të negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe arritjen e anëtarësimit të plotë deri në vitin 2028. Mbetemi të udhëhequr fuqimisht nga parimi i meritës dhe nga vizioni i përbashkët i një Evrope të bashkuar, paqësore dhe prosperues, theksoi Gorçeviqi.
Foto: printskrin