• e premte, 05 dhjetor 2025

Murtezani takohet me anëtarët e Komitetit Irlandez për Çështjet Evropiane: Integrimi evropian i rajonit ka rëndësi strategjike dhe të sigurisë për Unionin

Murtezani takohet me anëtarët e Komitetit Irlandez për Çështjet Evropiane: Integrimi evropian i rajonit ka rëndësi strategjike dhe të sigurisë për Unionin

Dublin, 4 korrik 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Dublin mbajti takim me anëtarët e Komitetit të përbashkët të dy dhomave të Parlamentit Irlandez për çështje lidhur me Bashkimin Evropian,me ç'rast i informoi ata rreth zbatimit të vazhdueshëm të Axhendës së reformave 2024-2027 në vend dhe aktiviteteve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke prezantuar gjithashtu konkluzionet e Samitit, i cili u mbajt në Shkup dy ditë më parë.

Në takim, siç kumtoi Ministria për Çështje Evropiane morën pjesë Zëvendëskryetari i Komitetit, Senatori Ajdan Davit, Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme dhe anëtari i Komitetit për Çështje me BE-në, Xhon Lahart, si dhe deputetja Pola Baterli dhe senatorja Fiona O’Laflin, gjithashtu anëtarë të Komitetit.

Ministri dhe parlamentarët diskutuan gjithashtu dinamikën e zbatimit të detyrimeve që lidhen me Planin e Rritjes, me qëllim nxitjen e harmonizimit ekonomik dhe gatishmërisë institucionale të vendit.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut në mënyrë aktive është e përfshirë në proceset rajonale, duke arritur rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve për lëshimin e mjeteve dhe se tanimë është pjesë e mekanizmit evropian të sundimit të së drejtës.

Gjithashtu Murtezani i informoi deputetët për progresin aktual të Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit euro-integrues, në pjesën e përmbushjes së standardeve nga Klasteri 1, Vlerat Themelore. Ai theksoi se Qeveria plotësisht është e përkushtuar në thellimin e reformave në sundimin e së drejtës, efikasitetin e administratës publike dhe përforcimin e institucioneve demokratike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian.

"Murtezani kishte shkëmbim konstruktiv mendimesh me anëtarët e Komitetit në tema lidhur me integrimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut, rezistencën e institucioneve dhe përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim. Interes i veçantë u shpreh për mekanizmat përmes të cilëve Maqedonia e Veriut avancon transparencën, sundimin e së drejtës dhe përdorimin efektiv të IPA fondeve. Të dyja palët ndanë gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, posaçërisht edhe përmes funksionimit pro aktiv të Grupeve Parlamentare për miqësi dhe vizitave të ndërsjella të delegacioneve parlamentare", thuhet në kumtesë.

Ministri falënderoi anëtarët e Komitetit, të cilët vazhdimisht kanë afirmuar mbështetjen e tyre për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, siç theksohet në kumtesën e MÇE-së, është ndarë qëndrim i përbashkët se integrimi i rajonit është çështje e rëndësisë strategjike dhe sigurie për Unionin. Në takim, njëzëri u vlerësua se është i nevojshëm bashkëpunim më i ngushtë i ndërsjellë midis dy vendeve, si dhe krijimi i dinamikës politike që do të sigurojë progres të parashikueshëm dhe të merituar për vendin, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm irlandez me Këshillin e BE-së. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR