• e premte, 05 dhjetor 2025

Murtezani - Staroviç: Hapa të përbashkët drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal

Murtezani - Staroviç: Hapa të përbashkët drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal

Shkup, 1 korrik 2025 (MIA) - Thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve drejt integrimit evropian ishte në fokus të takimit midis ministrit të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, dhe ministrit të sapoemëruar të Integrimit Evropian të Serbisë, Nemanja Staroviç, në margjinat e Samitit të Agjendës së Rritjes së BE-së që po mbahet në Shkup.

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Çështjeve Evropiane, Murtezani e uroi homologun e tij serb Staroviq për emërimin e tij në këtë funksion dhe shprehu besimin se përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë me dinamikë dhe proaktivitet të ri në drejtim të avancimit të agjendës evropiane të rajonit.

"Jam i bindur se me dinamikë dhe proaktivitet të ri do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e agjendës evropiane të rajonit. Plani i Rritjes është një mundësi e përbashkët për të forcuar lidhjet ekonomike dhe për t'iu qasur politikave evropiane”, deklaroi  Murtezani.

Në takim ishte biseduar edhe për bashkëpunimin e deritanishëm bazuar në Memorandumin për mirëkuptim midis dy ministrive, si dhe në mundësitë e reja për nisma me interes të ndërsjellë, duke përfshirë programet ndërkufitare për zhvillim dhe lidhshmërinë infrastrukturore.

"Zbatimi i vazhdueshëm dhe i koordinuar i reformave evropiane është një parakusht për realizimin e përfitimeve ekonomike dhe institucionale të ofruara nga qasja e re e BE-së. Ne jemi të gatshëm për komunikim të ngushtë dhe veprim të përbashkët drejt integrimit të plotë evropian të vendeve tona", shtoi Murtezani.

Ministrat u pajtuan se bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane janë kyçe për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. fc/

Foto: MÇE

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR