• e premte, 05 dhjetor 2025

Murtezani: Pozicionet e Bullgarisë duhet të ndahen nga ato të vendeve të tjera anëtare të BE-së

Murtezani: Pozicionet e Bullgarisë duhet të ndahen nga ato të vendeve të tjera anëtare të BE-së

Shkup, 26 qershor 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot deklaroi se është e nevojshme të bëhet dallim midis qëndrimeve të Bullgarisë dhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian që njohin identitetin dhe gjuhën maqedonase, kur bëhet fjalë për çështjet dypalëshe.

Sipas tij, për ne është e mirëseardhur çdo gjë që bën dallimin midis qëndrimit dypalësh të Bullgarisë dhe qëndrimit të përbashkët të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, me çka duke dalluar se çfarë është çështje e aspektit dypalësh të identitetit dhe çfarë është çështje e anëtarësimit në Union.

"Mendoj se individualisht, nëse i dëgjojmë të 26 vendet e tjera, të gjitha e njohin edhe identitetin maqedonas edhe gjuhën maqedonase. Kjo nuk është kontestuese. Për këtë arsyeja ne këmbëngulim në ndarjen e qëndrimeve të shteteve të tjera anëtare dhe Bullgarisë në lidhje me çështjen dypalëshe", deklaroi ministri pas tryezës së sotme të rrumbullakët  "Peizazhi gjeopolitik dhe zgjerimi i BE-së: Perspektivat për Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor", që u zhvillua sot në Akademinë e shkencave dhe arteve të Maqedonisë (ASHAM).

Në lidhje me reformat dhe ndryshimet kushtetuese, Murtezani theksoi se procesi është në vazhdim, por se për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është e nevojshme marrëveshje më e gjerë politike.

"Pjesa e parë ka të bëjë me reformat dhe mbi të cilat po punohet në kontinuitet. Një pjesë e reformave po zbatohen me intensitet më të madh, disa me intensitet të reduktuar. Megjithatë ai është një proces në vazhdim. Sa i përket pjesës së dytë të çështjes, gjegjësisht përfshirjes së bullgarëve në preambulën e Kushtetutës sonë, kjo është çështje e cila kërkon konsensus më të gjerë politik dhe një shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Derisa të kemi konsensus të gjerë politik dhe një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, ndërsa para kësaj, të gjitha shqetësimet ose kërkesat tona duhet të vihen në tryezë dhe të diskutohen, nuk do të ketë hapësirë ​​politike për të bërë asnjë hap përpara", tha Murtezani.

Rreth mundësive të përfshirjes së mbiemrit "modern" para gjuhës dhe identitetit maqedonas në raportin e Parlamentit Evropian, ministri bëri thirrje për durim dhe përmbajtje.

"Së pari mendoj se nuk duhet që tani të paragjykojmë. Le të shohim se si do të shkojë procesi deri në fund. Ne shpresojmë që ajo që ndodhi në hapin e parë të përfundohet në të dytin. Megjithatë kjo është një çështje konsensusi politik i brendshëm në PE. Sigurisht, do të donim që identiteti të mbetej ashtu siç e besojmë dhe e ndiejmë, megjithatë le të presim vendimin përfundimtar dhe pastaj do ta shohim", potencoi ministri.

Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian me 40 vota "për", 19 "kundër" dhe 10 "të përmbajtur" miratoi Porpozim-raportin për vendin e përgatitur nga eurodeputeti austriak Tomas Vajc.

Pas votimit eurodeputeti bullgar paralajmëroi se si shtesë të Raportit do të propozojnë plotësim me "mendim të pakicës".

U paraqit amendament me procedurë të shkurtuar për të vendosur fjalën "modern (bashkëkohor)" para gjuhës dhe identitetit maqedonas në Raport, por në përputhje me Rregulloren e punës, ai nuk u vendos në votim sepse kundër atij propozimi u deklaruan të paktën gjashtë deputetë, anëtarë të AFET-it. Rregullorja është parashikuar se procedura përcakton që amendamenti i propozuar nuk do të vihet në votim nëse të paktën pesë eurodeputetë votojnë kundër propozimit.

Raporti duhet të paraqitet në seancën plenare të Parlamentit Evropian nga në mbledhjen prej 7 deri më 10 korrik në Strasburg. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR