Murtezani: Përgjegjësia jonë është që ndryshimet kushtetuese të jenë kushti i fundit bilateral
- Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë në kontekstin e eurointegrimeve se mbetet e përkushtuar ndaj propozimit për ndryshime kushtetuese me zbatim të vonuar dhe se procesi eurointegrues duhet të bazohet në vlera, jo në çështje bilaterale.
- Post By Fami Bajrami
- 13:04, 19 maj, 2025
Shkup, 19 maj 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë në kontekstin e eurointegrimeve se mbetet e përkushtuar ndaj propozimit për ndryshime kushtetuese me zbatim të vonuar dhe se procesi eurointegrues duhet të bazohet në vlera, jo në çështje bilaterale.
"Është e qartë se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur ndryshimet kushtetuese, por përgjegjësia është që ato ndryshime kushtetuese të jenë kushti i fundit bilateral. Për ne nuk ka problem nëse të gjitha shtetet anëtare kanë kërkesa shtesë, por ato të jenë brenda kornizës së reformave dhe standardeve evropiane dhe të mos shndërrohen në bllokada dhe të mos përmbajnë çështje bilaterale”, ka thënë Murtezani kur u pyet për mesazhet e dërguara nga kryetari i BE-së Antonio Koshta dhe kryeministri gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtyp në Shkup.
Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta gjatë vizitës së tij në Shkup në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski tha se BE pret që vendi të përmbushë marrëveshjen për të filluar negociatat për anëtarësim në Union.
I pyetur nëse bëhet fjalë për ndonjë propozim tjetër, përveç atij për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, ai tha se qeveria këmbëngul që të mos ketë bilateralizim të mëtejshëm të procesit qasës dhe kujtoi deklaratën e Mickoskit se është i gatshëm për bisedime. Që kjo të ndodhë, është e nevojshme së pari t’i besojmë BE-së dhe të fillojmë të ndërtojmë besim të ndërsjellë me bullgarët”, thotë Murtezani.
I pyetur se deri ku janë procedurat në lidhje me miratimin e ligjeve të reja të parashikuara në agjendën e reformave ku afati i fundit është qershori, ministri tha se nga 16 hapat e paraparë, nuk priten vonesa për shumicën e tyre.
"Nga të gjitha 16 hapat, sa i përket ligjeve, për pjesën më të madhe nuk pritet të ketë vonesa. Ligji i energjetikës është miratuar tashmë në Parlament, ka shumë ligje në konsultim ndërministror, në debat publik, disa ligje duhet shumë shpejt të kalojnë në procedurë qeveritare dhe të futen në Parlament...Nuk ka asgjë të keqe nëse disa reforma nuk mund të zbatohen brenda afatit të paraparë, hyn në fuqi një grejs- periudhë prej 12 muajsh ku me siguri do të kemi mundësinë t'i përfundojmë të gjitha", ka thënë Murtezani.
Lidhur me përdorimin e fondeve nga Instrumenti i rritjes, pra nga Plani i rritjes dhe Agjenda reformuese, ai theksoi se nuk ka mundësi për bllokimin e tyre dhe vendi tashmë ka marrë e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor 52 milionë euro si parafinancim.
Foto: MIA