• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Murtezani: Anëtarë të BE-së janë të gatshëm të na ndihmojnë për rrumbullaksimin sa më të shpejtë të procesit aderues

Murtezani: Anëtarë të BE-së janë të gatshëm të na ndihmojnë për rrumbullaksimin sa më të shpejtë të procesit aderues

Bruksel, 24 shtator 2024 (MIA) - Vendet-anëtare të BE-së janë të gatshme të na ndihmojnë në procesin e inkuadrimit në Bashkimin Evropian, me qëllim që ta rrumbullaksojmë sa është e mundur më shpejtë, deklaroi për MIA-n ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, i cili sot në Bruksel mori pjesë në takimin e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK).

Tema kryesore në mbledhjen e GAK ishte Raporti i Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës për vitin 2024, me të cilin këtë vit, krahas vendeve anëtare të BE-së, për herë të parë janë përfshirë edhe katër shtetet e Ballkanit Perëndimor, të përfshira në procesin aderues - Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.

"Ajo që vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor për herë të parë janë përfshirë në mekanizmin e sundimit të së drejtës, i cili deri tani ishte ekskluzivisht i dedikuar vetëm për vendet anëtare, është shumë hap i rëndësishëm në atë që ne quajmë "fejzing in" (përfshirje graduale) dhe kjo është edhe një konfirmim se BE-ja po hapet ndaj vendeve kandidate dhe vazhdimisht na përfshin në mekanizmat, të cilat janë vetëm për anëtaret në BE", tha Murtezani, i cili njëheri është edhe negociatori kryesor i vendit me Bashkimin Evropian.

Ai potencoi se theks kryesor në diskutimet në takimin është vendosur në sundimin e së drejtës, respektivisht në gjendjen në jurisprudencë dhe reforma në sistemin legjislativ, luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar dhe lirinë e fjalës dhe mediumeve.

"Përpjekjet e deritanishme të vendeve kandidate, e në këtë rast edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sigurisht që u pritën mirë dhe u inkurajuam që të vazhdojmë me reformat. Para nesh janë pengesa dhe sfida të mëdha, të cilat jemi të vendosur t'i tejkalojmë", tha Murtezani.

Ministri theksoi se Qeveria e re duhet t'i përkushtojë vëmendje të veçantë dhe në një të ardhme të afërt "t'i riparojë pasojat e shkaktuara nga qeveria e mëparshme, me miratimin e Kodit penal", i cili, siç theksoi ai, në Bruksel shihet si antievropian dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.

"Duhet të miratojmë Kod penal, i cili është në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian, që kjo të mos bëhet pengesë për avancimin e mëtejshëm të vendit drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm", tha Murtezani.

Lidhur me vërejtjen në Raportin për keqpërdorimin e instrumentit “flamuri evropian” për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar, Murtezani theksoi se partitë nga koalicioni aktual qeveritar edhe kur ishin në opozitë, e kritikuan këtë praktikë dhe miratimin e zgjidhjeve ligjore që nuk kishin kurrëfarë lidhje me BE-në dhe legjislacionin evropian.  

"Kjo praktikë tashmë po largohet nga Kuvendi. Ne duhet të harmonizojmë edhe Parlamentin edhe të gjitha institucionet me mënyrën e funksionimit, që kërkohet nga BE-ja. Në Raport, por edhe sot në takim, u dërgua një porosi shumë i fortë që në Kuvend të mos shihen interesat e ngushta politike, por të ketë dialog mes të gjithëve në Kuvend për përcaktimin strategjik, respektivisht për orientimet strategjike të shtetit", theksoi Murtezani në deklaratë për MIA-n.

Gjatë qëndrimit të sotëm në Bruksel, Murtezani ka realizuar takime të shkurtra edhe me kolegët e tre vendeve tjera kandidate për anëtarsim në BE nga Ballkani Perëndimor, si dhe me disa nga ministrat pjesëmarrës të takimit të GAK, mes të cilëve edhe me ministren shtetërore gjermane për Evropë, Ana Lirman dhe me ministrin e ri francez për Evropë dhe Punë të Jashtme, Zhan-Noel Baro.

Në takimet u dakordua që Murtezani dhe Lirman të mbajnë takim bilateral më 14 tetor në Bruksel, ndërsa ministri i sapoemëruar francez ka shfaqur interes që ta vizitojë vendin.

"Ka shumë sfera dhe fusha, ku ne mund të mësojmë prej tyre dhe nga të gjitha vendet evropiane. Përshtypja ime nga takimi është se të gjithë janë të gatshëm të na ndihmojnë, me ekspertizën e tyre apo me çfarëdo ndihme, në këtë proces (të integrimeve evropiane), që po bëhet shumë i gjatë për vendin tonë, për ta rrumbullaksuar sa më shpejtë", tha Murtezani. bsh/

Фото: МИА

Видео: ЕБС

QËNDRONI TË LIDHUR