• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mungesa më e gjatë e reshjeve në këtë periudhë të vitit është negative për kulturat bujqësore

Mungesa më e gjatë e reshjeve në këtë periudhë të vitit është negative për kulturat bujqësore

Shkup, 10 nëntor 2024 (MIA) - Ditët e fundit në vend ishin kryesisht me diell me mëngjese më të ftohtë. Në disa lugina ka pasur mjegull paradite ose vranësira të ulëta. Këto kushte atmosferike, me mungesë më të gjatë të reshjeve, sjellin ulje të lagështisë së tokës që mund të ndikojë negativisht në të gjitha kulturat bujqësore, thonë agrometeorologët.

Sipas tyre, çdo kulturë në faza të ndryshme të zhvillimit ka nevojë për ujë.

"Tek llojet e frutave, kjo periudhë, fillimi i nëntorit, është më e mira për mbjelljen e fidanëve. Gjatë mbjelljeve të vjeshtës dhe dimrit, është e nevojshme të mbulohet fidani me 30 centimetra tokë për të mbrojtur rrënjët nga ngrica. Vëmendje e madhe duhet t'i kushtohet edhe gjendjes shëndetësore të materialit fidanor, veçanërisht që ai të mos jetë i infektuar nga sëmundjet karantine dhe dëmtuesit. Duhet të jenë fidanë të zhvilluar mirë, të shëndetshëm, me cilësi të lartë të varieteteve dhe nënshtresave të kërkuara", theksojnë agrometeorologët nga DPHM.

Disa varietete të vonshme të llojeve të frutave, si ftoi, mollët japoneze dhe shegët, janë në fazën e vjeljes.

"Kulturat e frutave gjithashtu kanë nevojë për ujë pas vjeljes në vjeshtë, me qëllim të kondicionimit dhe dimërimit pa dëmtime nga temperaturat e ulta dhe për formimin e sythave për vitin e ardhshëm. Për të arritur një rendiment të lartë dhe cilësor në të gjithë vegjetacionin, toka duhet të ketë një sasi të mjaftueshme uji lehtësisht të disponueshëm", theksojnë agrometeorologët.

Ata thonë se për pjesën tjetër të kulturave duhet të vazhdojë aplikimi i masave të nevojshme agroteknike: ujitja, sigurimi i lëndëve ushqyese për rezistencë më të madhe ndaj ngricave dimërore, përdorimi i materialit farë të certifikuar me karakteristika varietale cilësore dhe gjendje të mirë shëndetësore, përdorimi i plehit cilësor,...

Nga dita e sotme sipas parashikimeve të DPHM-së do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe më i ftohtë. Nesër priten reshje të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -6 deri në 5 gradë në vendet më të larta, ndërsa maksimalja do të lëvizë nga 9 deri në 20 gradë. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR