Mucunski: Sofja ka hyrë në një narrativë shumë të rrezikshme që është në kundërshtim me interesat strategjike si të BE-së ashtu edhe NATO-s
- Sofja ka hyrë në një narrativë shumë të rrezikshme e cila është në kundërshtim me interesat strategjike si të BE-së ashtu dhe NATO-s, ndërsa u përshtatet palëve të treta që dëshirojnë jostabilitet në rajon, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski në llogaridhënien për punën gjatë vitit të kaluar.
- Post By Fami Bajrami
- 12:19, 27 qershor, 2025
Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) - Sofja ka hyrë në një narrativë shumë të rrezikshme e cila është në kundërshtim me interesat strategjike si të BE-së ashtu dhe NATO-s, ndërsa u përshtatet palëve të treta që dëshirojnë jostabilitet në rajon, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski në llogaridhënien për punën gjatë vitit të kaluar.
"Dua t'i bëj thirrje Sofjes të sillet në mënyrë racionale, të mos ngecë në narrativat retrograde që për fat të keq qarqe të caktuara në atë vend i kanë ndërtuar historikisht në lidhje me çështjen maqedonase. Ne nuk jemi zgjedhur nga qytetarët tanë dhe nuk kemi legjitimitet ta gjykojmë dhe analizojmë atë, kjo është punë e historianëve dhe akademikëve. Ne jemi zgjedhur për të sjellë rritje dhe zhvillim. Ajo që e bën Sofja në periudhën e fundit, ajo përpjekje e qartë që ne i frikësohemi dhe e kundërshtojmë me të gjitha forcat për të ridefinuar identitetin tonë, është retrograde, nuk i sjell dobi rajonit dhe popujve të të dy vendeve që për fat të keq, për shkak të një raporti të tillë, po distancohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri”, tha Mucunski.
Ai nuk beson se në Maqedoni ekziston gjuhë e urrejtjes, dhe siç tha ai, nëse dikush e konsideron të tillë nevojën tonë për afirmimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas, “atëherë problemi është më i madh se ai që mendojmë se e kemi si problem”.
"Askund në deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të lartë të vendit tonë, për të mbyllur mozaikun tre njerëzit që krijojmë dhe zbatojmë politikën e jashtme të vendit - presidentja, kryeministri dhe unë si ministër, nuk kam parë asnjë deklaratë të vetme me ndonjë lloj gjuhë urrejtje dhe i ndjek me hollësi të gjitha", tha Mucunski.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme thotë se te shumica dërrmuese e vendeve të BE-së ka një mirëkuptim të fortë të frustrimeve të thella të popullit dhe shtetit në rrugën tonë të eurointegrimeve, si dhe vetëdijesim se ajo që po i ndodh vendit tonë nuk kontribuon në legjitimitetin e politikës së zgjerimit e cila historikisht ka ditur të jetë politika më transformuese.
Vendi ynë, shton ai, si një vend me status të kandidatit, po bën gjithçka që mundet për të zhvilluar një diskurs real brenda të gjitha institucioneve evropiane për të krijuar vetëdije për atë që i është bërë këtij vendi për më shumë se 30 vjet, por, siç theksoi, "edhe vetëdije për kontekstin e asaj që po i bëhet tani në këtë kohë në të cilën jetojmë me turbulenca të vërteta".
"Ne duam rrugën përpara drejt BE-së. Të diskutojmë për kompromis, por duam të diskutojmë edhe për parashikueshmëri, pra, garanci për marrëveshje hipotetike për ndonjë kompromis. Kjo është arsyeja pse themi se kemi disa vija të kuqe shumë të qarta nga të cilat nuk do të tërhiqemi", ka thënë ai.
Ai vlerëson se votimi për Raportin e Maqedonisë në AFET është moment historik, por jo moment triumfi dhe se nuk dihet se si do të jetë raporti që do të miratohet në Parlamentin Evropian.
"Duhet këtu të jemi të sinqertë dhe për këtë arsye e thashë edhe më parë. Ne nuk jemi shtet anëtare e BE-së. Siç nuk jemi të përfaqësuar në pjesën ekzekutive të BE-së, këtu mendoj në kompetencat ekzekutive midis Këshillit dhe Komisionit, ashtu edhe në pjesën legjislative. E dimë shumë mirë, nuk kemi eurodeputetë brenda. Por njëherësh, është fakt se kemi komunikim me shumë nga miqtë tanë, miq të rajonit, miq të Evropës, sepse kushdo që dëshiron sukses në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm, në fund të fundit është mik i Evropës. Ky është një proces i rëndësishëm për ne dhe vetë BE-në, për të mbyllur boshllëkun që ekziston nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor. Ne me angazhimin tonë si Qeveri, kryeministri, presidentja, unë si ministër dhe kolegë të tjerë, do të bëjmë gjithçka që mundemi për të sjellë arsyen dhe vetëdijen brenda kornizës së institucioneve evropiane", theksoi ministri Mucunski.
Foto/ video: MIA