• e premte, 05 dhjetor 2025

Mucunski: Punojmë në forcimin e dinamikës së takimeve me Sofjen zyrtare, jemi të gatshëm për zgjidhje racionale konform vlerave evropiane

Mucunski: Punojmë në forcimin e dinamikës së takimeve me Sofjen zyrtare, jemi të gatshëm për zgjidhje racionale konform vlerave evropiane

Shkup, 16 qershor 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme,Timço Muçunski deklaroi sot se punohet në intensifikimin e dinamikës së takimeve me Sofjen zyrtare dhe se jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje racionale në kuadër të vlerave evropiane, por e jona është edhe të vendosim vija të kuqe në lidhje me çështje të caktuara që lidhen me atributet rreth identitetit.

"Është detyra jonë të ofrojmë zgjidhje, por edhe të vendosim vija të kuqe qartazi sepse për çështje të caktuara, qytetarët maqedonas dhe Qeveria jonë nuk janë të gatshëm të negociojnë dhe diskutojnë. Lidhur me ridefinimin e identitetit tonë, lidhur me çështje me natyrë historike që mund t’i themi me siguri absolute, lidhur me çështje me atribute të tjera identitare të popullit maqedonas, për çështje të tilla nuk jemi të gatshëm të diskutojmë, por, po, jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje racionale brenda kornizës së vlerave evropiane dhe kudo që ka vullnet, mund të gjendet rrugë e përshtatshme", deklaroi Mucunski në konferencën për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Ai tha se punohet në intensifikimin e dinamikës së takimeve me Sofjen zyrtare dhe se ekziston iniciativë për takim në Samitin e NATO-s në Hagë në fund të këtij muaji.

"Shpresojmë që ky takim do të zhvillohet, ka komunikim të shtuar në ditët në vijim, nuk mund të konfirmojmë ende asgjë. Presidentja Siljanovska Davkova, unë, së bashku me ministrin e Mbrojtjes do të jemi pjesë e atij delegacioni dhe shpresojmë që një takim i tillë mund të japë një shtytje drejt gjetjes së zgjidhjes", ka thënë Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Ai tha se vendi është i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se janë ndërmarrë hapa konkret për ta çuar vendin përpara në integrimin evropian.

"Në vitin e fundit të mandatit të Qeverisë, ne u bëmë vendi i parë në rajon që nënshkroi partneritet për siguri dhe mbrojtje me BE-në dhe u bëmë pjesë e sistemit të përbashkët evropian të pagesave - SEPA. U bëmë vendi i parë në rajon që mori mjete nga Plani i rritjes. Që do të thotë se ne jo vetëm që kemi treguar se jemi të përkushtuar ndaj procesit të eurointegrimit, por kemi edhe përfitime konkrete nga ecja para drejt BE-së. Prandaj, them se janë ndërmarrë hapa konkret për ta çuar vendin përpara drejt anëtarësimit të plotë, por ajo pengesë politike nga Bullgaria ekziston, sepse këto masa e çojnë vendin përpara drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE, por ato në asnjë mënyrë nuk mund ta zëvendësojnë procesin e hapjes së negociatave", ka thënë Mucunski.

Ai informoi se kanë komunikim të vazhdueshëm edhe me të gjitha shtetet anëtare, fokusi është te Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, si dhe kanale të përshtatshme komunikimi me Bullgarinë e cila po e bllokon këtë proces.

"Nuk themi se do të jetë e lehtë, por besojmë se nëse kemi qëndrime parimore, nëse kemi një qëndrim të qartë, nëse Bullgaria zhvillon vetëdije për zhvillimet gjeopolitike - do të ketë mirëkuptim edhe në Sofje se ky proces duhet të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur", vlerësoi Mucunski.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR