Mucunski: Pesë për qind prej BPV-së për mbrojtje është investim i përgjithshëm në siguri
- Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski, deklaroi se vendosmëria për rritjen e mjeteve për mbrojtje prej 5 për qind nga BPV-ja nuk i referohet vetëm furnizimit klasik ushtarak, por paraqet investim të përgjithshëm në siguri, infrastrukturë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
- Post By Fami Bajrami
- 12:38, 27 qershor, 2025
Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski, deklaroi se vendosmëria për rritjen e mjeteve për mbrojtje prej 5 për qind nga BPV-ja nuk i referohet vetëm furnizimit klasik ushtarak, por paraqet investim të përgjithshëm në siguri, infrastrukturë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
"Po shkojmë drejt pesë për qindëshit që të mos kemi nevojë ndonjëherë të shkojmë drejt 30-40 përqindëshit, ashtu siç shpenzojnë disa vende që kanë konflikte në territorin e tyre", tha Mucunski, duke shtuar se mjetet do të përfshijnë jo vetëm modernizim ushtarak, por dhe investime në infrastrukturë, sigurinë kibernetike, madje dhe inovacione dhe kompani startap.
Në konferencën për shtyp ku prezantoi punën e bërë në vitin e parë të mandatit të Qeverisë së re, ministri potencoi se ky qëllim është konform me standardet e NATO-s dhe se të gjitha shtetet anëtare të Aleancës e mbështesin strategjinë.
"Jo vetëm ne, por të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Ai ishte vendim i arritur me konsensus në kuadër të Aleancës. Të gjitha furnizimet dhe masat që i ndërmerr Ministria e Mbrojtjes për modernizimin e armatës sonë do të llogariten në atë 5 për qind", tha shefi i diplomacisë.
Shtohet se shpenzimet do të zgjerohen me aspekte të cilat nuk janë përfshirë deri më tani në përcaktimin e pragut minimal prej 2 për qind. Si shembull, ai përmendi investimet në korridoret e NATO-s, infrastrukturën me rëndësi strategjike dhe tregtare, si dhe kapacitetet e sigurisë kibernetike.
"Në kuadër të këtij pesë për qindëshi do të ketë shumë mjete të cilat do të na sjellin siguri, por ato mund të jenë edhe masa për të stimuluar ekonominë vendase dhe për të zhvilluar kompani të reja, për bazë industriale të fuqishme në prodhimin e pajisjeve të specializuara. Ajo do të hap vende të shkëlqyera të punës dhe do të plotësojë nevojën për diversifikim të kapacitetit të prodhimit", shtoi Mucunski.
Sipas tij, këto janë vendime historike, gjeneratash, të cilat do të mbesin relevante edhe për qeverinë e ardhshme dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë nën ombrellën e NATO-s. rq/
Foto dhe video: MIA