Mucunski për gazetën greke "Ta Nea": Pas fatkeqësisë në Koçan, ajo që foli më shumë se fjalët ishin veprimet e menjëhershme dhe të sinqerta të solidaritetit nga e gjithë Evropa
- - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për gazetën e përditshme greke “Ta Nea”, ka folur për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve, mbështetjen pas tragjedisë në Koçan, si dhe për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe sfidat dhe prioritetet e përbashkëta në kuadër të Aleancës NATO.
- Post By Fitore Curri
- 12:38, 6 prill, 2025

Shkup, 6 prill 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për gazetën e përditshme greke “Ta Nea”, ka folur për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve, mbështetjen pas tragjedisë në Koçan, si dhe për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe sfidat dhe prioritetet e përbashkëta në kuadër të Aleancës NATO.
Mucunski, siç informojnë nga MPJTJ, në intervistë thekson se tragjedia në Koçan është një nga më të vështirat me të cilat është përballur vendi në historinë e re, duke theksuar se uniteti evropian ka dalë sërish në sipërfaqe dhe se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së është dëshmuar se është instrument kyç për përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie. Në intervistë ai përsëriti mirënjohjen për qeverinë greke dhe popullin grek.
“Spitalet greke morën pacientët e parë të evakuuar nga vendi ynë dhe vazhdojnë t'u ofrojnë kujdes të lartë. Mbështetja në momente të tilla është një pasqyrim i fortë i miqësisë së vërtetë mes dy vendeve tona – një marrëdhënie që ne duhet të vazhdojmë ta ushqejmë dhe ndërtojmë, theksoi Mucunski.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, ministri e theksoi takimin me homologun e tij grek, Jorgos Gerapetritis në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në shtator të vitit 2024, si hap të rëndësishëm në fuqizimin e angazhimit diplomatik.
“Ekziston potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit - në tregti, infrastrukturë dhe lidhje energjetike. Por duhet të thellojmë lidhjet edhe në fushën e ekonomisë dhe kulturës, ku mirëkuptimi i ndërsjellë dhe zhvillimi i përbashkët mund të krijojnë besim dhe prosperitet afatgjatë. Inkurajimi i partneriteteve të biznesit, turizmit, shkëmbimeve studentore dhe programeve kulturore mund t'i afrojë edhe më shumë popujt tanë. Si aleatë të NATO-s dhe fqinjë të afërt, ne kemi një interes të përbashkët në forcimin e qëndrueshmërisë dhe prosperitetit rajonal – veçanërisht përmes integrimit të plotë rajonal në Bashkimin Evropian”, thotë Mucunski.
Duke folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, Mucunski në intervistë vlerëson se qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar fuqishëm në ruajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera me të gjithë fqinjët tanë, ndërsa tragjedia në Koçan edhe një herë tregoi sa është i rëndësishëm ky bashkëpunim.
Në pjesën kushtuar situatës aktuale gjeopolitike dhe partneritetit në kuadër të NATO-s, ministri e thekson rëndësinë e unitetit mes aleatëve në kushte të sfidave të rritura të sigurisë.
“Uniteti mbetet themeli i qëndrueshmërisë dhe sigurisë sonë të përbashkët. Si anëtarë të NATO-s, ne të gjithë mbajmë përgjegjësi individuale dhe kolektive për ruajtjen e kohezionit dhe mbrojtjen e vlerave që na dallojnë nga regjimet autoritare. NATO vazhdon të luajë rol qendror në garantimin e sigurisë – jo vetëm për dy vendet tona, por edhe për zonën më të gjerë euroatlantike. Jam i bindur se ky rol do të mbetet vendimtar edhe në vitet në vijim. Përballë sfidave gjithnjë e më komplekse të sigurisë, ne duhet t'i qasemi me unitet. Mbrojtja kolektive, qëndrueshmëria dhe parandalimi janë çelësi për mbrojtjen e të gjitha shteteve anëtare. SHBA mbetet aleati ynë kryesor dhe partneri strategjik. Ky partneritet është demonstruar shumë herë që nga pavarësia jonë. NATO ofron një platformë për trajtimin e çështjeve thelbësore të sigurisë dhe për të gjithë anëtarët – përfshirë SHBA-në– për të kryer konsultime kuptimplota”, theksoi ministri në intervistë.
Mucunski flet edhe për samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë, duke theksuar se vendet anëtare do të kenë mundësi që ta vlerësojnë situatën momentale dhe të marrin vendime për çështje kyçe – investime në mbrojtje, mbështetje për Ukrainën, partneritet rajonal dhe sfida strategjike.
“Jam i bindur se NATO do të jetë e gatshme për t'iu përgjigjur momentit dhe do të vazhdojë të jetë një shtyllë e sigurisë sonë të përbashkët - më e fortë dhe më e bashkuar në kohën që vjen", përfundon Mucunski në intervistën për "Ta Nea". fc/
Foto: MPJTJ