Mucunski: Ne jemi konstruktiv, por gjuha maqedonase, identiteti dhe dinjiteti nuk janë të negociueshme
- Ne si shtet mbetemi të përkushtuar në zbatimin e detyrimeve tona ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të jemi partner konstruktiv dhe i parashikueshëm në rajon, por çështjet e gjuhës dhe identitetit maqedonas dhe dinjitetit të popullit tonë nuk janë dhe nuk mund të negociohen, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në fjalimin në takimin e 24-të të Komitetit të përbashkët parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, i cili filloi këtë pasdite në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg.
- Post By Fami Bajrami
- 23:51, 26 nëntor, 2025
Strasburg, 26 nëntor 2025 (MIA) – Ne si shtet mbetemi të përkushtuar në zbatimin e detyrimeve tona ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të jemi partner konstruktiv dhe i parashikueshëm në rajon, por çështjet e gjuhës dhe identitetit maqedonas dhe dinjitetit të popullit tonë nuk janë dhe nuk mund të negociohen, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në fjalimin në takimin e 24-të të Komitetit të përbashkët parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, i cili filloi këtë pasdite në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg.
"Kur çështjet në lidhje me gjuhën, identitetin ose narrativat kombëtare shndërrohen në kushte formale në kuadër të procesit të aderimit, dëmi shkon përtej dosjes dypalëshe. Ai e zhvendos procesin më larg kritereve të qarta juridike në një fushën ku asnjë vend kandidat nuk mund të ndihet i sigurt. Kjo krijon precedent që të tjerët do të tundohen ta përsërisin dhe i dërgon mesazh opinionit tonë se mund të negociohet për atë se "kush jemi". Për ne, gjuha maqedonase, identiteti maqedonas dhe dinjiteti i popullit tonë nuk janë dhe nuk mund të jenë pika në tryezën e bisedimeve", tha Mucunski.
Sipas tij, mund të negociohen sundimi i së drejtës, për standardet, politikat dhe për funksionimin e institucioneve dhe nëse e ruajmë këtë dallim të qartë, do të mbrojmë edhe procesin e zgjerimit dhe respektimit të shoqërive tona.
"Të jesh fqinj i mirë do të thotë edhe të jesh i ndershëm me njëri-tjetrin. Bllokimi i vazhdueshëm i hapave të ardhshëm në procesin tonë të aderimit nga Bullgaria, nuk dëmton vetëm kombin tonë. Kjo dobëson besueshmërinë strategjike të zgjerimit në të gjithë rajonin dhe në planin afatgjatë nuk i shërben as interesave të Bullgarisë. Një fqinj i qëndrueshëm dhe prosperues i orientuar nga BE-ja në kufirin perëndimor të Bullgarisë është një epërsi, e jo kërcënim", tha Mucunski.
Sipas tij, qytetarët maqedonas dhe bullgarë kërkojnë lehtësime në kalimin e kufirit, në tregti, bashkëpunim dhe studim, dhe për këtë arsye në marrëdhëniet e ndërsjella duhet të përdoret logjika me investimin në Korridorin 8, i cili ka treguar se të dyja vendet mund të bashkëpunojnë kur zgjedhin projekte konkrete, në vend të kontesteve abstrakte, dhe kur ndërtojnë rrugë, hekurudha dhe lidhje energjetike në vend të ankesave të reja.
"Duam marrëdhënie me Bullgarinë që janë definuar me mundësi të përbashkëta, e jo me bllokadë të përhershme. Do të vazhdojmë të respektojmë marrëveshjet tona ndërkombëtare dhe jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin kudo që sjell përfitime të prekshme për qytetarët tanë në ndërlidhjen, energjetikën, arsimin, kulturën dhe projekte të ndryshme të tjera ndërkufitare", shtoi Mucunski.
Ai theksoi se shoqëria jonë nuk është euroskeptike dhe qytetarët tanë besojnë në projektin evropian, sundimin e së drejtës, dinjitetin njerëzor dhe ekonominë e tregut.
"Dyshimet që kanë filluar të lindin nuk kanë të bëjnë me idenë e Europës, por me ritmin dhe parashikueshmërinë e procesit. Rrezikojmë të bëhemi jo euroskeptikë, por europesimistë. Një shoqëri që beson në Bashkimin Evropian, por nuk është gjithmonë e bindur se dera është me të vërtetë e hapur", deklaroi kreu i diplomacisë maqedonase
Sipas tij, është përgjegjësi e institucioneve të Maqedonisë dhe BE-së që ta tejkalojnë këtë pesimizëm dhe të tregohet se ka gjëra të mira.

"Përkundër të gjitha zhgënjimeve, vendi im qëndroi në kursin. Sot, ne jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, jo 95, jo 98, por 100 për qind. Vetë harmonizmi nuk është i lehtë. Ne qëndrojmë me Bashkimin Evropian për Ukrainën dhe për sanksionet dhe për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Raporti i fundit i Komisionit Evropian e njeh qartë këtë dhe është diçka për të cilën ne si vend jemi krenarë", tha Mucunski.
Ai theksoi se mbështetja jonë për Ukrainën, zbatimi i regjimit të sanksioneve dhe roli ynë aktiv si aleat i NATO-s, tregojnë se shteti ynë nuk është nga ata që vetëm pret në korridoret e Bashkimit, por se tashmë kontribuon në sigurinë evropiane.
Mucunski gjithashtu përkujtoi se ne ishim vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që lidhi partneritet të sigurisë dhe mbrojtjes me BE-në, i cili, siç tha ai, nuk është vetëm gjest simbolik, por zgjedhje strategjike për të lidhur arkitekturën tonë të sigurisë me arkitekturën e sigurisë së BE-së dhe për të ndërtuar interoperabilitetin dhe rezistenën e përbashkët, sepse siguria e rajonit dhe Bashkimit Evropian janë një histori e njëjtë.
"Paralelisht, po ecim përpara sipas Planit të rritjes së BE-së dhe Agjendës reformuese. Ne jemi të përqendruar në rritjen ekonomike, mbajtjen e të rinjve në shtëpi, tërheqjen e investitorëve dhe investimin në lidhjen dhe transformimin digjital. Këto nuk janë vetëm reforma për të mirën e Bashkimit Evropian, por reforma për qytetarët tanë, të cilët bëhen më të fortë dhe më të qëndrueshëm kur përshtaten në kornizën evropiane", tha Mucunski.
Sipas tij, harmonizimi me politikat e BE-së dhe zbatimi i reformave duhet të shndërrohet në hapa konkretë përpara me çka do t'u dërgohet mesazh i qartë qytetarëve se përpjekjet, harmonizimi dhe përkushtimi vlerësohen me të vërtetë.
"Ajo që ne po kërkojmë është që procesi i aderimit në BE të funksionojë sipas parimeve të veta, pa përdorur me këtë rast çështjet e identitetit si pengesë për një vend që është plotësisht i harmonizuar me vlerat dhe politikat e BE-së", tha Mucunski.
Ai theksoi se shteti dhe populli ynë mbeten fuqimisht pro-evropianë, besojnë në Bashkimin dhe vlerat që ai përfaqëson, dhe këtë nuk e shohin si diçka të huaj, por si diçka që është e jona.
"Ajo që e kërkojmë në këmbim është partneriteti me një perspektivë shumë të qartë. Proces që është i parashikueshëm, i bazuar në merita dhe i kuptueshëm për qytetarët tanë. Nëse e bëjmë këtë së bashku, jam i bindur se mund ta kthejmë çdo formë të pesimizmit evropian në optimizëm evropian, në vendin tonë, në rajonin tonë dhe në të gjithë shtëpinë tonë të përbashkët evropiane. Koha përpara nesh mund të jetë kohë vendimesh dhe mundësish. Vendi ynë është gati të japë kontributin e tij", konkludoi Mucunski.
Në takimin e Komitetit të përbashkët parlamentar fjalim të tij mbajti edhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.
Foto: MPJ TJ