• e enjte, 14 nëntor 2024

Mucunski në takim me Varhejn: Qeveria e re është fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe integrimeve evropiane

Mucunski në takim me Varhejn: Qeveria e re është fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe integrimeve evropiane

Shkup, 24 qershor 2024 (MIA) - Qeveria e re e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski është fuqishëm e përkushtuar në agjendën e reformave dhe integrimeve evropiane dhe në periudhën e ardhshme do të ndërmarrim një sërë aktivitetesh në drejtim të përshpejtimit të procesit integrues. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në takimin e sotëm me eurokomisarin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji.

Mucunski në Fejsbuk publikoi se gjatë takimit me Varhejn theksoi se politika e zgjerimit të BE-së është hallka më e mirë për nxitjen e reformave dhe proceseve demokratike, por njëherësh është edhe një investim kyç gjeostrategjik në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, si dhe Evropën në tërësi.

"Në takim shkëmbyem mendime edhe për Planin e rritjes së BE-së, duke e vlerësuar si mbështetje të fuqishme nga BE-ja për forcimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, inkurajimin e bashkëpunimit rajonal, por edhe afrimin e vendeve të rajonit me BE-në dhe para anëtarësimit formal", deklaroi Mucunski i cili mori pjesë sot në Luksemburg në takimin e shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili u mbajt në kuadër të Këshillit Evropian për Punë të Jashtme (FAK).

Varheji nga ana tjetër në platformën X shkroi se ka uruar Mucunskin për emërimin e tij si ministër i Punëve të Jashtme dhe se në takim kanë diskutuar për "rëndësinë e agjendës reformuese dhe hapat e ardhshëm në lidhje me fazën e hapjes së negociatave qasëse".
Varheji më herët ka uruar edhe kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Qeverinë me rastin e zgjedhjes së tyre.

"Urime deri te kryeministri Mickoski dhe anëtarët e qeverisë së re! Me padurim pres të punojmë shpejt me ju për të avancuar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut", ka thënë Varheji në urimin e publikuar në X.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nga Luksemburgu udhëton për në Bruksel, ku nesër do të takohet me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më pas do të ketë takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. 

Foto: FB e Timço Mucunskit

 

QËNDRONI TË LIDHUR