• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mucunski në Bruksel në takime në Europarlament dhe në Takimin ministror të NATO-s

Mucunski në Bruksel në takime në Europarlament dhe në Takimin ministror të NATO-s

Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nga sot deri më 4 dhjetor do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel për takime me eurodeputetë dhe do të marrë pjesë në takimin e rregullt të shefave të diplomacike të vendeve-anëtare të NATO-s.

Siç njofton Ministria, në kuadër të vizitës është planifikuar që Mucunski të mbajë fjalim para anëtarëve të Komisionit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian, si dhe të realizojë takime me reporterin për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vaic, raportuesit në hije për vendin, Matej Tonin (Slloveni, EPP) dhe Tajs Rojten (Holandë, CiD).

Në fokus të bisedimeve, theksohet, do të jetë nevoja për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit, me theks në zbatimin e reformave, si dhe angazhimin tonë për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Njëherit, Mucunski do të marrë pjesë në takimin e rregullt të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet në selinë e Aleancës në Bruksel, më 3 dhe 4 dhjetor të vitit 2024.

Konform axhendës, në takim është planifikuar që ministrat të trajtojnë disa çështje të rëndësishme në lidhje me sfidat aktuale të sigurisë, me fokus në fqinjësinë jugore të Aleancës, situatën aktuale në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë për kontinentin evropian, si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, të cilat kanë implikime të mëdha për sigurinë euroatlantike, si dhe për statusin e zbatimit të vendimeve të marra në samitin e NATO-s në Uashington, si dhe në funksion të përgatitjeve për samitin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Hagë, Mbretëria e Holandës.

Në margjinat e takimit ministror, ​​ministri Mucunski parashihet të zhvillojë disa takime bilaterale me kolegët e tij ministra, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR