• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mucunski - Gir: Fokusi i fortë i Qeverisë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit

Mucunski - Gir: Fokusi i fortë i Qeverisë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka pasur sot një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Dejvid Gir, në të cilin është rikonfirmuar fokusi i fuqishëm i Qeverisë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Gjithashtu u theksua nevoja e realizimit të reformave që do të nënkuptojnë progres për qytetarët, kryesisht në fushën e sigurimit të zhvillimit ekonomik, promovimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit të lartë.

Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në takim u theksua gjithashtu rëndësia e procesit të integrimit evropian për stabilitetin e rajonit dhe në këtë kuptim, nevoja për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke marrë parasysh kontekstin aktual gjeopolitik.

Në lidhje me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një kontribut të rëndësishëm politik dhe financiar të BE-së për përshpejtimin e integrimit të vendeve të kësaj zone në Union, ministri Mucunski nënvizoi se Qeveria e re në një periudhë shumë të shkurtër solli zgjidhje dhe këto ditë e dorëzoi Agjendën e Reformës së vendit në KE.

Nga MPJ njoftuan se Mucunski sot ka pasur takim me ambasadorët e Italisë dhe Austrisë, Andrea Silvestri dhe Martin Pamer, si dhe me këshilltarin ekonomik, kreun e Advantage Austria për rajonin, Jirgen Shreder.

Në bashkëbisedimin me ambasadorin e Italisë, Andrea Silvestri, u përshëndetën marrëdhëniet dypalëshe dhe gatishmëria për t'i forcuar ato, veçanërisht në fushën e kulturës dhe ekonomisë.

"Në të njëjtën kohë ata morën pjesë së bashku në një ceremoni me rastin e dhënies së certifikatave të diplomatëve tanë për përfundimin me sukses të kursit të gjuhës italiane. Një qasje e tillë paraqet një tjetër konfirmim shtesë të gatishmërisë për të forcuar lidhjet kulturore dhe për afrimin e dy vendeve mike", thonë nga Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Me ambasadorin Pamer dhe këshilltarin ekonomik Shreder, së bashku është konstatuar se edhe krahas vëllimit të arritur të këmbimit tregtar, ende ka hapësirë të madhe dhe kushte për vazhdim të trendit të rritjes së këmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

"Njëherit, me Austrinë, si investitori ynë më i madh, partneri dhe miku i vendit tonë, duhet të vazhdojë të inkurajohet bashkëpunimi ekonomik, investimet dhe marrëdhëniet tregtare. Krahas shkëmbimit të mendimeve lidhur me bashkëpunimin dypalësh ekonomik mes dy vendeve, u prezantuan edhe prioritetet ekonomike të Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja", thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Advantage Austria është një organizatë e promovimit të tregtisë e Odës Ekonomike Federale Austriake, e cila ka më shumë se 100 zyra në mbi 70 vende, përfshirë edhe vendin tonë. Ofron shërbime të zhvillimit të biznesit për kompanitë austriake por edhe për partnerët e biznesit ndërkombëtar. sa/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR