• e premte, 05 dhjetor 2025

Mucunski: Është e turpshme përpjekja që vjen nga një shtet anëtar i BE-së për ridefinimin e identitetit kombëtar maqedonas

Mucunski: Është e turpshme përpjekja që vjen nga një shtet anëtar i BE-së për ridefinimin e identitetit kombëtar maqedonas

Shkup, 2 korrik 2025 (MIA) - Në Parlamentin Evropian ka një propagandë aktive, për fat të keq në konotacionin negativ e cila mbështetet edhe nga Sofja zyrtare, për modifikim, gjegjësisht modernizimin e identitetit kombëtar maqedonas. Është turp kjo që po bëhet, është turp kjo përpjekje që vjen nga një shtet anëtar i BE-së për të ridefinuar identitetin kombëtar maqedonas, të cilin ne kemi të drejtë ta respektojmë dhe ta ndërtojmë e përmirësojmë. Ne shqetësohemi që shtetet anëtare të BE-së kanë pozita antievropiane për momentin, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Ai edhe njëherë përsëriti se vendi do të vazhdojë të bisedojë dhe gjithashtu të realizojë reformat në vend, por nuk do të pranojë asnjë kompromis kur është në pyetje identiteti. 

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas forumit të biznesit midis Maqedonisë dhe Italisë në Shkup, Mucunski theksoi se progresi ynë po matet gjithnjë e më shpesh jo sipas kritereve objektive, por është objekt i bilaterilizmit të vazhdueshëm dhe kushteve që nuk kanë asnjë lidhje me standardet më të larta evropiane.

Në lidhje me Raportin e ardhshëm për avancimin e vendit, ministri pret, siç tha ai, "ndërgjegjësim brenda Parlamentit Evropian për rëndësinë e asaj që do të ndodhë në seancën plenare". 

"Thelbi i problemit është se sinjalet dhe ajo që dëgjojmë edhe nga Bullgaria për një periudhë më të gjatë është se nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime kushtetuese. Dhe ku është identifikuar më mirë dhe më saktë kjo, në Parlamentin Evropian, ku pamë se ka një propagandë aktive, për fat të keq, me konotacion negativ e cila mbështetet edhe nga Sofja zyrtare për modifikimin, ose modernizimin e identitetit kombëtar maqedonas. Për më tepër, askush nuk di të shpjegojë se çfarë do të thotë identitet modern dhe gjuhë moderne. Dhe prandaj themi, diskutojmë hapur, nuk pranojmë asnjë kompromis, prandaj shteti është në këtë pozicion në të cilin ndodhet. Njëherësh, do të ecim në rrugën evropiane, do të realizojmë reformat kyçe, do të punojmë në partneritetin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që e kemi nënshkruar të parët me BE-në, do të punojmë në iniciativa rajonale që do ta bëjnë biznesin më të suksesshëm dhe jetën më të mirë, por në të njëjtën kohë themi - është turp ajo që po bëhet, është turp kjo përpjekje që vjen nga një vend anëtare e BE-së për të ridefinuar identitetin kombëtar maqedonas", theksoi Mucunski. 

Sipas tij, është e pamohueshme ajo që i ka ndodhur vendit tonë gjatë më shumë se 30 viteve të fundit. 

"Është i pamohueshëm fakti se, për fat të keq, përparimi ynë po matet gjithnjë e më shpesh jo sipas kritereve objektive, por është objekt i bilaterilizmit të vazhdueshëm dhe kushteve që nuk kanë asnjë lidhje me standardet më të larta evropiane. Nuk them se në këtë vend gjithçka është ideale, përkundrazi, ka shumë gjëra që duhet të bëjmë për të reformuar shoqërinë, por pretendoj se në disa çështje, si për shembull respektimi i të drejtave të pakicave, jemi shumë më përpara se disa shtete anëtare të BE-së. Këtu, kryesisht, mendoj për shtetin që aktualisht po vendos veton në përparimin tonë në procesin e integrimit evropian. Një gjë që shpesh ua them liderëve evropianë është: "imagjinoni që vendi ynë nuk do të implementonte 14 vendime të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në lidhje me të drejtat e pakicave, si do të reagoni ndaj nesh në një situatë të tillë? Prandaj them, ne si Qeveri diskutojmë hapur, paraqesim pozitat tona, themi - po, dëshirojmë kompromise dhe zgjidhje, por njëkohësisht kemi pozita kombëtare dhe asnjëherë nuk duhet të bëjmë lëshime në lidhje me çështjet e identiteti", theksoi shefi i diplomacisë. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR