• e hënë, 23 dhjetor 2024

MPPS: Paga minimale nga muaji mars do të jetë 20.175 denarë, mbi 2.000 denarë më e lartë për një vit

MPPS: Paga minimale nga muaji mars do të jetë 20.175 denarë, mbi 2.000 denarë më e lartë për një vit

Shkup, 25 shkurt 2023 (MIA) - Rritja e pagës minimale do të jetë për 12,55 për qind, përkatësisht nga marsi do të jetë 20.175 denarë. Kjo do të thotë se qytetarët marrin paga më të larta për mbi 2000 denarë, informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Me ndryshimet në ligjin për pagën minimale, të miratuar në mars të vitit 2022, u vendos një metodologji e re, e cila është zgjidhje sistematike dhe që nënkupton rritje të vazhdueshme të pagës minimale.

"Çdo vit në muajin mars paga minimale rregullohet sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, përkatësisht 50% rritje të kostos së jetesës dhe 50% rritje të pagës mesatare nga viti i kaluar", theksojnë nga MPPS.
 
Nga viti 2017 kemi rritje të vazhdueshme të pagës minimale, në vitin 2017/2018 në 12.000 denarë, në vitin 2019 në 12.507 denarë, në vitin 2020 në 14.500 denarë, në vitin 2021 në 15.194 denarë. Në mars të vitit 2022, paga minimale arriti në 18.000 denarë, për dallim nga viti 2016, kur paga minimale ishte 10.080 denarë.
 
Në mars të vitit 2023, paga minimale do të arrijë në 20.175 denarë, që është mbi 10.000 denarë më shumë. Ne sjellim zgjidhje sistematike, nga të cilat qytetarët kanë përfitime të drejtpërdrejta, thuhet në kumtesën  e MPPS-së. sa/
Foto: MIA Arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR