• e hënë, 16 mars 2026

MPJ-ja kineze iu përgjigj Trampit: Qetësim të situatës që është e tensionuar dhe e dëmshme për stabilitetin global

MPJ-ja kineze iu përgjigj Trampit: Qetësim të situatës që është e tensionuar dhe e dëmshme për stabilitetin global

Pekin, 16 mars 2026 (MIA) - Ministria kineze e Punëve të Jashtme shprehu shqetësim për situatën e tensionuar në Ngushticën e Hormuzit pas thirrjes së presidentit amerikan Donald Tramp drejtuar Pekinit për të dërguar anijet e saj për të siguruar rrugën kryesore ujore.

Reagimi erdhi vetëm disa orë pas thirrjes së Trampit.

Zëdhënësi i ministrisë, Lin Xhian, e përshkroi situatën si "të tensionuar" dhe të dëmshme për stabilitetin global.

“Kina u bën thirrje edhe një herë të gjitha palëve që të ndërpresin veprimet ushtarake, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe të parandalojnë që konflikti rajonal të ketë pasoja më serioze për zhvillimin ekonomik global”, tha ai.

Trampi më parë në intervistë për "Fajnenshëll tajms", të publikuar dje, deklaroi se ndoshta do ta shtyjë samitin e planifikuar me liderin kinez Si Xhinping, duke shtuar në të njëjtën kohë se "Kina gjithashtu ka nevojë për ndihmë sepse merr 90 përqind të naftës së saj përmes ngushticës".

I pyetur në lidhje me deklaratën e Trampit, Lin u përgjigj diplomatikisht këtë mëngjes. "Diplomacia e nivelit të lartë luan një rol të pazëvendësueshëm në drejtimin strategjik të marrëdhënieve kineze-amerikane. Të dyja palët mbeten në kontakt në lidhje me vizitën e presidentit Tramp në Kinë", tha ai. Zëdhënësi gjithashtu shmangu përgjigjen e pyetjes nëse Kina ka marrë një kërkesë zyrtare nga SHBA-ja për të dërguar anije në Ngushticën e Hormuzit.

Kina nuk është i vetmi vend ndaj të cilës SHBA-ja po bën presion për të dërguar ndihmë. Trampi të shtunën deklaroi se shpreson që "Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerë" do të dërgojnë forca detare për të siguruar lundrimin nëpër ngushticë, e cila është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i luftës. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR