MPJdheTJ: Në vend të komenteve të pabazuara, nga Bullgaria presim sjellje evropiane, respekt dhe njohje të gjuhës maqedonase
- Shqetësues është fakti që, në vend që të mirëpritet si një hap konstruktiv përpara, Projekt-Plani i veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve është objekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga Bullgaria, gjë që nuk kontribuon për ndërtimin e besimit dhe mirëbesimit midis dy vendeve, reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, duke theksuar se "në vend të komenteve të pabazuara, nga fqinji yn presim sjellje evropiane, përfshirë edhe në aspektin e respektimit dhe njohjes së plotë të gjuhës maqedonase".
Shkup, 5 janar 2026 (MIA) - Shqetësues është fakti që, në vend që të mirëpritet si një hap konstruktiv përpara, Projekt-Plani i veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve është objekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga Bullgaria, gjë që nuk kontribuon për ndërtimin e besimit dhe mirëbesimit midis dy vendeve, reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, duke theksuar se "në vend të komenteve të pabazuara, nga fqinji yn presim sjellje evropiane, përfshirë edhe në aspektin e respektimit dhe njohjes së plotë të gjuhës maqedonase".
"Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rregullave evropiane dhe qasjes së bazuar në meritë ndaj zgjerimit. Propozim-plani i veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të anëtarëve të komuniteteve është hartuar në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, në konsultim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian. Dokumenti përmban masa, afate dhe institucione kompetente të përcaktuara qartë dhe është plotësisht në përputhje me standardet më të larta evropiane, thuhet në kumtesën e MPJdheTJ pas reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski se "Bullgarisë i pengon gjuha maqedonase në Planin e veprimit për minoritetet.
Procesi i përgatitjes së Propozim-planit të Veprimit, siç theksojnë nga MPJdheTJ, u zhvillua në disa faza, duke filluar në vitin 2023, me ç'rast përpunimi përfundimtar u intensifikua në gjashtë muajt e fundit të vitit 2025, dhe gjatë gjithë procesit, u përfshinë në mënyrë aktive dhe u konsultuan rregullisht ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, ndërsa Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian theksuan se dokumenti mbulon të gjitha standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare.
"Theksojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut është njohur si një shembull pozitiv në nivel evropian në zbatimin e të drejtave të komuniteteve dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar fuqimisht ndaj barazisë, përfshirjes dhe zbatimit efikas të politikave në interes të të gjithë qytetarëve tanë", theksohet në kumtesën nga MPJdheTJ.

Kumtesa vjen pas reagimit të MPJ-së bullgare ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski se Sofjës zyrtare i pengon gjuha maqedonase në Planin e veprimit për minoritetet.
Në reagimin bullgar shprehet shqetësim për, siç theksohet, "tezat e fundit të autoriteteve në Shkup, të cilat devijojnë nga thelbi i konsensusit evropian të vitit 2022".
"Pyetja - në çfarë gjuhe duhet të jetë Plani për të Drejtat e Komuniteteve që pritet nga Maqedonia e Veriut - është çështje e brendshme e vendit fqinj dhe nuk është temë e marrëdhënieve dypalëshe. Dokumenti do të zbatohet pikërisht nga institucionet e tij ndaj qytetarëve të vet dhe është logjike që ai të jetë në një gjuhë të kuptueshme për ta. Zgjedhja e Shkupit për t'ua paraqitur draftin e atij plani qytetarëve të vet në gjuhë angleze është e vështirë të shpjegohet, veçanërisht nëse Plani është planifikuar të zbatohet në realitet, theksohet në kumtesën e MPJ-së bullgare. Nga Sofja gjithashtu kujtojnë se Planit të Veprimit duhet t'i paraprijë hyrja e bullgarëve në Kushtetutë, e cila, siç theksojnë ata, do t'i mundësojë Shkupit të fillojë negociatat e pranimit.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se Bullgaria kundërshton Planin e veprimit për minoritetet sepse është në maqedonisht. Mickoski tha se ka ndodhur ajo për të cilën i paralajmëroi partnerët e tij në Bruksel - "se edhe nëse bëjmë Planin më të mirë të veprimit për minoritetet, ai do të refuzohet nga Bullgaria".
"Më vjen keq që edhe një herë e humbën shansin se janë fqinj të mirë. Asnjë shtet anëtar nuk është kundër, asnjë pakicë në Maqedoni nuk është kundër, sepse pati një debat publik. Epo, problemi ishte se ishte në gjuhën maqedonase. Më falni, por gjuha ime amtare është maqedonishtja, gjuha zyrtare për përdorim ndërkombëtar është maqedonishtja, nuk ka tjetër. Nëse dikujt i pengon, nuk mund të ndihmoj këtu dhe më vjen keq që është kështu", tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se gjithçka ishte bërë siç u kërkua - sugjerimet u pranuan e ekspertit nga Italia gjatë përgatitjes së Planit dhe kërkesa u përmbush nga Brukseli "për ta dërguar atë në Bullgari një ditë më parë për të treguar vullnet të mirë".
"Kështu bëmë, e dhamë një ditë më parë. Epo, tani, u ka penguar që ëstë në gjuhën maqedonase. Por, është gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës dhe unë ose ministri nuk mund ta shkelim Kushtetutën. Nëse mendojnë se do ta dërgojmë në një gjuhë tjetër, ne nuk kemi gjuhë tjetër sipas Kushtetutës. Kjo është gjuha maqedonase. Ata po tregojnë edhe një herë se nuk ka lidhje midis pakicës ose bullgarëve në Kushtetutë. Kërkesat e tyre kanë rrënjë shumë më të thella dhe problemet janë më të thella dhe ata po tregojnë edhe një herë se qëllimi i tyre është krejtësisht i ndryshëm", tha Mickoski.
Siç tha, Qeveria tani nuk ka kontakte me Bullgarinë, por se "jemi në dispozicion në çdo kohë dhe kudo, të shkojmë në çdo organizatë dhe të bisedojmë dhe të paraqesim argumentet tona".
"Do të pranojmë gjithçka, sigurisht pa e përfshirë në Kushtetutë, do t'i pranojmë të gjitha vërejtjet, por nuk mund të heq dorë nga gjuha ime amtare maqedonase" theksoi Mickoski. ls/
Foto: MIA