• e martë, 26 nëntor 2024

MPJ: Janë tendencioze dhe spekulative pretendimet për ndikim politik gjatë përzgjedhjes së firmës për rikonstruktimin e sallës "Boris Trajkovski"

MPJ: Janë tendencioze dhe spekulative pretendimet për ndikim politik gjatë përzgjedhjes së firmës për rikonstruktimin e sallës

Shkup, 28 gusht 2023 (MIA)- Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) përmes një kumtesë i hedh poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat për gjoja ndikim politik apo ndonjë formë të parregullsisë në zgjedhjen e kompanisë për rikonstruktimin e sallës "Boris Trajkovski".

Në interes të informimit transparent të opinionit, thonë prej atje, MPJ ndan ofertat nga katër ofertuesit e prokurimit publik për rikonstruimin e Qendrës sportive “Boris Trajkovski” për nevojat e konferencës së OSBE-së. Theksojmë edhe një herë, shtojnë në MPJ, se kjo është ngjarja më e madhe politike ndërkombëtare që do të mbahet në Shkup, ku do të marrin pjesë rreth 70 Ministra të Punëve të Jashtme nga rajoni i OSBE-së dhe më shumë se 1000 mysafirë.

Siç informojnë, për shkak të ndarjes ekonomike dhe efikase të buxhetit, kusht për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm ishte çmimi më i ulët për punë të përcaktuara saktë dhe niveli i cilësisë së realizimit. Nga katër ofertuesit, kompania e përzgjedhur kishte çmimin më konkurrues të ofruar sipas sasive të pritshme të parapara në specifikacionin teknik, përkatësisht:

Eurovia - 93 746 070 den. (ofertuesi i zgjedhur)

Kompania e dytë - 120 668 981 den.

Kompania e tretë - 134 015 461 den.

Kompania e katërt - 374 353 297 den.

Ministria nuk mund të refuzojë e as nuk ja se si ta arsyetojë të refuzuarit e një ofertë e cila sipas kritereve është më e volitshme. Me përgjegjësi pohojmë se nuk ka asnjë ndikim apo parregullsi në përzgjedhjen e kompanisë e cila është konfirmuar në komisionin e nivelit të dytë. Të gjitha institucionet janë të mirëseardhura të analizojnë përzgjedhjen si dhe zbatimin e procedurës, e cila do të jetë sipas standardeve më të larta të OSBE-së.

“Edhe një herë, duam të theksojmë qartë se kërkesat specifike për kryerjen e punimeve dhe cilësinë e tyre, si dhe nevoja për to, janë kërkesa specifike të OSBE-së në përputhje me standardet e Organizatës për organizimin e ngjarjeve të tilla. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të theksohet se një pjesë e madhe e investimit mbetet për shfrytëzimin e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”. Kjo do të thotë se përveç organizimit të një manifestimi sipas standardeve botërore, shteti do të përfitojë edhe rikonstruktimin e një nga objekteve më të rëndësishme sportive në Shkup. Andaj theksojmë edhe një herë se e gjithë procedura zhvillohet sipas standardeve të larta, duke u kujdesur për menaxhimin ekonomik të buxhetit dhe përzgjedhjen e ofertuesit”, thonë në MPJ.

Apelojnë deri tek aktorët politikë që të mos e keqpërdorin këtë ngjarje dhe ta njollosin kryesimin tonë me OSBE-në, e cila vlerësohet si një nga më të suksesshmet dhe ka rëndësi të madhe për ngritjen dhe promovimin e shtetit në korniza botërore.

“Ministria është në dispozicion të të gjitha institucioneve që duan të marrin më shumë informacion rreth procesit të përzgjedhjes së ofertuesit më të volitshëm, por procedura dhe ngjarja nuk duhet të përdoren për politikë ditore dhe manipulime, të cilat dëmtojnë reputacionin si të shtetit ashtu edhe atë të OSBE-së si organizatë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR