• e hënë, 23 dhjetor 2024

MPJ i dënoi incidentet e djeshme, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shkupi - Levski

MPJ i dënoi incidentet e djeshme, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shkupi - Levski

Shkup, 28 korrik 2023 (MIA) - Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) i dënon incidentet e djeshme në Shkup, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shkupi – Levski. Dhuna, siç potencon, nuk është e pranueshme në asnjë rrethanë, veçanërisht jo kur rezulton në lëndime të rënda.

Autoritetet e sigurisë, shton MPJ, e kanë të gjithë mbështetjen në zbatimin e rendit dhe qetësisë publike.

"Shtetasi bullgar i lënduar është trajtuar profesionalisht dhe me kujdesin e duhur, ai aktualisht ndodhet në gjendje stabile dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale po shërohet në spitalin e Shkupit. Përfaqësuesit e Ambasadës bullgare janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasin bullgar të lënduar dhe të afërmit e tij, si dhe me autoritetet shëndetësore vendase. Autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë i kanë marrë dhe do të vazhdojnë t’i marrin masat e nevojshme për hetim dhe ndjekje efektive në lidhje me incidentet e ndodhura.Siç e kemi theksuar më parë në disa raste, Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i lirë dhe të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë vendin janë të mirëseardhur; privilegj që nuk nënkupton që nga këtu është e pranueshme të shprehen fyerje, veçanërisht jo teza që nënkuptojnë pretendime territoriale dhe/ose mohim dhe fyerje të bazuara në baza etnike, fetare ose baza të tjera identitare", potencojnë nga MPJ.

Sipas MPJ-së, njëjtë sikur më parë, shkelja e këtyre rregullave do të trajtohet në mënyrë të duhur nga institucionet kompetente dhe individëve të tillë do t’u kufizohet privilegji i pranisë në vend.

"Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë janë fqinjë të mirë që i kapërcejnë dallimet politike me mjete diplomatike, duke kultivuar kulturën e dialogut të fqinjësisë së mir", potencon Ministria e Punëve të Jashtme.

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR