MPB: Pushkaliqet janë të rrezikshme dhe të dëmshme, kontrolle të përforcuara për festat
- Për festa më të sigurta - të mos përdoret piroteknikë, apeluan sot në mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:55, 9 dhjetor, 2025
Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Për festa më të sigurta - të mos përdoret piroteknikë, apeluan sot në mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që gjatë festave të Vitit të Ri të përmbahen maksimalisht prej përdorimit të mjeteve piroteknike. Pushkaliqet nuk janë lodra, përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar, ndërsa të shtënat gjatë festave me pushkaliqe mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, duke lënë pasoja jashtëzakonisht të rënda që mund të vulosin jetën e një të riu.
"Pushkaliqet janë të rrezikshme dhe të dëmshme. Aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftën kundër piroteknikës janë të vazhdueshme, me dinamikë të përforcuar para dhe rreth festave, duke marrë parasysh parashenjën sezonale të piroteknikës, me të vetmin qëllim të rrisim ndërgjegjësimin tek të rinjtë, por edhe tek prindërit e tyre, duke bërë me dije se pushkaliqet nuk janë lodra, por mjete të rrezikshme që mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme dhe të përhershme për shëndetin e të rinjve", thuhet në video - deklarata, zëdhënësi Goce Andreevski.
Nga MPB-ja thonë se Ministria po ndërmerr edhe aksione kontrolluese, me qëllim sanksionimin e përdorimit të pushkaliqeve dhe mjeteve të tjera piroteknike dhe ua rikujton qytetarëve dispozitat ligjore që sanksionojnë përdorimin e pajisjeve piroteknike dhe shitjen e tyre të paligjshme.
"Kështu, Ligji për Kundërvajtje Kundër Rendit dhe Qetësisë Publike në nenin 31 parashikon gjobë për atë që përdor mjete piroteknike në mënyrë të paautorizuar. Në përputhje me Kodin Penal, në nenin 396 është parashikuar përpunimi, mbajtja dhe tregtimi i paautorizuar i armëve ose lëndëve shpërthyese, me ç'rast: ai që në mënyrë të paaurtorizuar përpunon, mban, shet, furnizon ose kryen shkëmbim me armë zjarri, municion ose lëndë shpërthyese, do të dënohet me dënim me burg prej tre deri në dhjetë vjet. Nëse lëndë e veprës nga paragrafi 1 është një sasi më e madhe e armëve të zjarrit, municionit ose lëndëve shpërthyese, ose armëve të zjarrit, municionit ose lëndëve shpërthyese që u ndalohen qytetarëve, kryerësi do të dënohet së paku me pesë vjet burg", thonë nga Ministria.
MPB në bashkëpunim me partnerët e organizatave joqeveritare dhe institucioneve të tjera, vazhdon me aktivitetet në këtë drejtim.
"Apelojmë edhe deri te prindërit që të mos u blejnë mjete piroteknike fëmijëve të tyre sepse kjo mund të ketë pasoja tragjike. U bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë rregulloret ligjore dhe të bashkëpunojnë me policinë. Të gjitha shkeljet e rendit dhe qetësisë publike duhet t'i denoncojnë në stacion policor ose përmes numrave telefonikë 192 ose 112", thonë nga Ministria. qa/
Foto dhe video: "Fejsbuk" - faqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme