• e martë, 14 maj 2024

MPB: Janë sulmuar tre punonjës të M-NAV, rasti po zbardhet

MPB: Janë sulmuar tre punonjës të M-NAV, rasti po zbardhet

Shkup, 4 janar 2024 (MIA) - Një person i punësuar në M-NAV, së bashku me disa persona të tjerë të panjohur, kanë sulmuar fizikisht tre punonjës të institucionit, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga atje thonë se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Sot (01.04.2024) rreth orës 15:15 në SP Petrovec, një person i punësuar në M-NAV ka raportuar se në objekt ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht se B.N. (personi i punësuar në institucion) së bashku me disa persona të tjerë të panjohur kanë sulmuar fizikisht P.B., E.K. dhe B.R. (persona të punësuar në institucion). Menjëherë pas marrjes së denoncimit në vendin e ngjarjes janë drejtuar zyrtarë policorë nga SPB Shkup dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Kryetari i Sindikatës profesionale të kontrollorëve të fluturumit (SPKF), Aleksandar Tasevski, paraprakisht ka njoftuar se në objektin e kontrollit të trafikut të fluturimit kanë ardhur disa automjete, nga të cilat kanë dalë disa persona të cilët kanë hyrë në objektin e kontrollit të trafikut ajror dhe kanë shkaktuar zënkë dhe kanë sulmuar punonjësit në kontrollin ajror. Sipas tij, automjetet kanë hyrë pa u ndaluar nga sigurimi.

"Automjetet kanë hyrë pa u ndalur nga sigurimi, i cili është i një kompanie të jashtme, kontrata e së cilës sipas dijeve tona ka skaduar kohë më parë dhe nuk kemi të dhëna nëse i është vazhduar sërish. Në anën tjetër sigurimi i M-NAV që ndodhet në vetë objektin nuk ka reaguar", thekson ai.

Ky akt dhune, shtoi ai, përbën kërcënim jo vetëm për çdo profesionist të kontrollit të fluturimit, por edhe për sigurinë e aviacionit.

Sulmi ndodhi pas konferencës së sotme për shtyp të Tasevskit, në të cilën ai informoi se njëzet deri në tridhjetë kontrollorë të trafikut ajror dhe ndihmësit e tyre në Navigacionin maqedonas (M-NAV) pritet të fillojnë të japin dorëheqje nga pozitat e tyre drejtuese në M-NAV, duke shpjeguar se dorëheqjet janë në mbështetje të aktiviteteve sindikaliste dhe reagimeve për shpalljen e fundit për punësim në këtë institucion. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR