• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mosha është “pengesë” për të ushtruar të drejtën e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar

Mosha është “pengesë” për të ushtruar të drejtën e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar
Shkup, 27 nëntor 2022 (MIA) - Gjithsej 23 kërkesa për realizimin e së drejtës për kompensim të aftësisë së kufizuar janë refuzuar në 10 qendra për punë sociale në vend për shkak të kushtit 65 vite të mbushura që e përcakton neni 44 paragrafi 2 i Ligjit për mbrojtje Sociale. Avokati i Popullit e konsideron këtë kufizim ligjor si diskriminues dhe kërkon që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të ndërmarrë masa. Nga MPPS-ja shprehen se do të veprojnë në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij neni të mërkurën. Sipas Ligjit për mbrojtje sociale, kompensimi për shkak të aftësisë së kufizuar parashikohet për të nxitur përfshirjen sociale dhe mundësi të barabarta për një person me aftësi të rëndë ose të thellë të kufizuar intelektuale, me paaftësi më të rëndë fizike, person i cili është plotësisht i verbër dhe person i cili është plotësisht i shurdhër. Kompensimin për shkak të aftësisë së kufizuar, sipas nenit 44 paragrafi 2 të këtij ligji, mund ta marrë personi i cili ka mbushur moshën 26 vjeç, më së voni deri në moshën 65 vjeçare, ndërsa përdoret pavarësisht nga mosha e shfrytëzuesit. Sipas Avokatit të Popullit, pikërisht ky paragraf është kusht kufizues për qasjen dhe realizimin e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar. Nga atje thonë se i njëjti në vete përmban pabarazi, respektivisht dispozitë diskriminuese ndaj personave të tjerë që e realizojnë këtë të drejtë. "Aftësia e kufizuar është gjendje të cilën një person i caktuar mund ta ketë edhe pas moshës 65 vjeçe dhe nuk guxon ligji me të cilin përcaktohet një e drejtë e caktuar, ta kufizojë atë sipas moshës. Kjo paraqet bazë për ndalimin e diskriminimit, bazë kjo që e dallon edhe Ligji për mbrojtjen dhe pengimin e diskriminimit, mirëpo edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe konventat ndërkombëtare, shprehen nga Avokati i Popullit. Trajtimi i pabarabartë gjatë shfrytëzimit të kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, Avokati i popullit e vlerëson edhe në Raportin vjetor për nivelin e sigurimit, respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2020. "Nëse jeni mbi 65 vjeç, e jeni person me aftësi të kufizuara, sipas dispozitave ekzistuese ligjore, nuk keni të drejtë për dëmshpërblim në të holla për shkak të aftësisë së kufizuar, përveç nëse këtë të drejtë e keni realizuar deri në moshën 65 vjeçe. Absurditet të këtillë përcaktoi Avokati i popullit pasi në adresë të tij mbërriti parashtresë nga qytetari, i cili për shkak të pengesës së moshës (ka qenë mbi 65 vjeç) nuk ka mundur të realizojë të drejtën e tij për këtë lloj të kompensimi në të holla. Për tejkalimin e këtij problemi me trajtimin e pabarabartë të qytetarëve në bazë të moshës, Avokati i Popullit dorëzoi Mendim në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, në të cilin kërkoi vlerësimin e kësaj dispozite të Ligjit për mbrojtje sociale", qëndron në raportin. Hulumtimi i tyre për perceptimin e situatës me realizimin e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, zbulon se në 10 nga 30 qendrat për punë sociale në vend në vitin 2020 dhe 2021 janë refuzuar saktësisht 23 kërkesa për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, pikërisht për shkak të kushtit mosha 65 vjeç. Sipas raportit, 12 kërkesa janë refuzuar në vitin 2020, ndërsa 11 në vitin 2021. Më së shumti kërkesa të refuzuara ka në Qendrën për punë sociale në Strumicë, gjithsej gjashtë, Kërçovë – 5, Tetovë – 3, Kavadar dhe Shën Nikollë nga dy dhe Kriva Pallankë, Shtip, Negotinë, Dellçevë dhe Veles nga një kërkesë të refuzuar. Iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje sociale, së bashku me raportin, Avokati i Popullit e dorëzon në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale në muajin tetor. Nga MPPS-ja për MIA-n shprehen se i janë përgjigjur të njëjtës. "Në përgjigjen, Ministria e informon Avokatin e Popullit se në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut është parashtruar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 44 paragrafi 2 të këtij ligji, nga personi me iniciale A.D. nga Prilepi dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut nga Shkupi. Në raport me këto iniciativa, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Aktvendim për nisjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 44 paragrafi 2 në pjesën: “më së voni deri në moshën 65 vjeçe” të Ligjit për mbrojtje sociale, e deri në vendimin përfundimtar e ndaloi ekzekutimin e akteve dhe veprimeve individuale që janë ndërmarrë në bazë të dispozitave të Ligjit për mbrojtje sociale", shprehen nga MPPS-ja. Ata shtojnë se kanë njoftuar qendrat për punë sociale për aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të marrë parasysh masën e shqiptuar për ndalimin e ekzekutimit të akteve dhe veprimeve individuale në procedurat që zhvillohen për realizimin e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar. "Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e informoi avokatin e Popullit se do të veprojë në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 44 paragrafi 2 të Ligjit për mbrojtje sociale", bëjnë të ditur nga Ministria dikasteriale. Nga Gjykata Kushtetuese, nga ana tjetër, për MIA-n shprehen se për këtë çështje do të vendoset në seancën e mbajtur të mërkurën. Informimi më i madh i qytetarëve, kyç për realizimin e të drejtës Avokati i Popullit bën të ditur në nevojën për informim më të madh të personave me aftësi të kufizuara për mënyrën e realizimit të së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar dhe lehtësimin e qasjes dhe realizimit të së drejtës për kompensim në të holla, me qëllim të përfshirjes sociale dhe mundësi të barabarta për personat me aftësi të kufizuara. "Hulumtimi ynë tregon nevojën e ndërgjegjësimit më të madh të qytetarëve, veçanërisht personave me aftësi të kufizuara, për mënyrën se si realizohet një e drejtë e caktuar, t'u dilet në ndihmë. Mes tjerash, këtu flasim edhe për kategori paksa të ndjeshme, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për persona me aftësi më të rëndë të kufizuar fizike, aftësi të të thellë ose të rëndë të kufizuar intelektuale, me persona të verbër plotësisht dhe të shurdhër plotësisht, që do të thotë se edhe kërkesat në qendrat e punës sociale, sipas mendimit tonë, për realizimin e kësaj të drejtë, duhet të përshtaten me gjuhën dhe alfabetin që përdorin këta persona, e jo të detyrohen të kenë gjithmonë pranë vetes asistent personal që të mund të parashtrojnë kërkesë", shprehen nga atje. Kontaktet me shoqatat e personave me aftësi të kufizuara tregojnë se ata janë të zhgënjyera nga zgjidhja e këtillë ligjore. "Kontaktet tona me shoqatat e personave me aftësi të kufizuar, të cilat janë partnerët tanë, tregojnë se ata janë të zhgënjyer nga zgjidhja e tillë, kërkojnë rrugëdalje dhe për këtë kanë kërkuar që ne si institucion të ndërmarrim masa, por ata nuk janë të inkurajuar të paraqesin vetë ankesa, duke druajtur se kjo do të reflektohet negativisht. Megjithatë, ka njerëz që varen nga kompensimi në të holla që e marrin", shprehen nga Avokati i Popullit. Nga Lëvizja kundër handikapëve “Polio Plus” mirëpresin iniciativën e Avokatit të Popullit, por shtojnë se përveç moshës Avokati i Popullit duhet të ndërmarrë nismë për ndryshimin e të gjithë dispozitës, si dhe sistemit të përfitimeve me atë që do të kërkohet zgjerim i përfshirjes së personave me hendikep dhe sigurimin e kësaj shtese që nga mosha shtatë vjeç për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara dhe përputhjen e saj të plotë me dispozitat e Konventës për të drejtat e personave me hendikep. "Konstatimet se dispozitë e vendosur në këtë mënyrë është diskriminuese janë perceptuar edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit, ku bëhet e ditur se “ndryshimet ligjore dhe kufiri i moshës për realizimin e së drejtës së aftësisë së kufizuar deri në 65 vjeç i kufizojnë qytetarët në realizimin e kësaj të drejte kur atyre më shumë do t'u jetë e nevojshme, pra kur të bien në pleqëri më të thellë dhe do të përballen me një përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Kjo që u përmend rezulton me uljen e numrit të shfrytëzuesbe të shtesës për aftësi të kufizuar”, shprehen nga Polio Plus. Sistemi që e siguron shteti, sipas tyre, jo vetëm që është kufizues sipas moshës, por i njuëjti bazohet në qasjen mjekësore dhe është kufizues për sa i përket përfshirjes personale, me ç'rast nuk janë përfshirë të gjithë personat me hendikep, që siç shprehen, është në kundërshtim me detyrimet që i ka shteti me Konventën për të drejtat e personave me hendikep. "Dispozita ekzistuese për Shtesën për aftësi të kufizuar që u miratua nga viti 2019, nuk i mori parasysh as rekomandimet e dhëna nga Komiteti i OKB-së për të drejtat e personave me hendikep në vitin 2018. Me fjalë të tjera, në shqyrtimet përmbyllëse të vitit 2018, Komiteti i rekomandon shtetit (paragrafi 48): (a) Të rishikojë Ligjin për mbrojtje sociale duke vendosur bazën handikap si bazë për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe të rishikojë aktete relevante nënligjore dhe skemat e përfitimeve me qëllim që të garantohet standard përkatës jetësor për personat me hendikap, duke përfshirë edhe kompensimet në formën e shtesave që do t'u mundësonin personave me hendikap të mbulojnë shpenzimet që lidhen me hendikapin e tyre ; (b) të shfuqizohen dispozitat që kufizojnë të drejtat e përfitimeve sociale për personat me hendikap në bazë të moshës, si dhe të sigurohen dhe alokohen shtesa dhe kompensime të caktuara për fëmijët me hendikap", arsyetojnë nga Polio Plus. Nga Aleanca Kombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike – Lëvizshmëri, po ashtu mbështesin iniciativën e Avokatit të Popullit. Sipas tyre, disa të drejta duhet të jenë njësoj të arritshme për të gjithë. "Në fillim kur u miratua kjo dispozitë në Ligjin për mbrojtje sociale (viti 2010 me aplikim nga qershori i vitit 2011), nuk kishte kufizim moshe. Mirëpo, me miratimin e ligjit të ri në vitin 2019, u vendos ky kufizim, me qëllim që, siç thonin përfaqësuesit e Ministrisë, të vendoset rregull dhe të kufizohet e drejtën e realizimit të këtij kompensimi gjatë aftësisë punuese të popullatës. Ne që atëherë reaguam se kjo nuk ishte e drejtë, meqë jeta dhe aktiviteti nuk ndalet kur njerëzit dalin në pension, se nuk është mirë të vendoset kufiri i moshës. Por, nëse duhet vendosur kufi moshe, ai duhet të jetë së paku 75 vjeç", shprehen nga atje. MIA i dërgoi pyetje edhe Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, nga ku morëm përgjigje se nisma e Avokatit të Popullit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje sociale në nenin 44 paragrafi 2, i cili i referohet të drejtës së kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, nuk është shqyrtuar deri më tani në seancë të Komisionit. "Në mënyrë që KPMD-ja të përcaktojë nëse ka dispozita në rregullativpn ligjore që mund të prodhojnë veprime diskriminuese, është e nevojshme që zyrtarisht të fillojë një procedurë nga KPMD-ja sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës së interesuar, në mënyrë që më pas të miratohet një Mendim profesional i KPMD-së", sqarojnë nga Komisioni. Raporti i Avokatit të Popullit tregon se në periudhën e viteve 2020/21, për realizimin e së drejtës për kompensim për aftësi të kufizuar në bazë të paaftësisë së rëndë ose të thellë intelektuale, paaftësi më të rëndë fizike, person i verbër tërësisht dhe i shurdhër tërësisht, nga personat e moshës 26-65 vjeç janë parashtruar gjithsej 7.293. kërkesa. Me këtë rast, nga qendrat kompetente për punë sociale është marrë vendim pozitiv për 7 142 kërkesa, respektivisht 97,92 për qind. Angella Rajçevska

QËNDRONI TË LIDHUR