• e diel, 22 dhjetor 2024

Monika Zajkova – kryetare e re e Partisë Liberal Demokrate

Monika Zajkova – kryetare e re e Partisë Liberal Demokrate
Shkup, 20 nëntor 2022 (MIA) - Monika Zajkova është zgjedhur kryetare e re e Partisë Liberal Demokrate në kongresin e tetë të partisë ku ajo ishte kandidatja e vetme për kryetare. Zajkova e cila deri më tani ishte nënkryetare e PLD-së, njëherësh deputete në Kuvend vjen në vend të Goran Milevskit i cili e drejtoi partinë që nga viti 2015. Pas zgjedhjes nga delegatët e kongresit, Zajkova deklaroi se Partia Liberal Demokrate ka kontinuitet dhe prej kohësh mbijeton në skenën politike dhe se gjatë mandatit të saj mund të priten politika më të dukshme, si dhe nisma konkrete që do të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. “Nuk duam populizëm dhe premtime të rreme për punë që nuk mund të realizohen, por iniciativa të vogla dhe të qarta që të çojnë në hapa konkret që do të përmirësojnë jetën dhe kushtet në vend”, tha Zajkova. Ajo konsideron se shteti duhet të fokusohet në progres dhe, siç tha, “guximshëm të hapërojë drejt vazhdimit të negociatave me Bashkimin Evropian për të hapur dhe mbyllur kapitujt”. “Na presin reforma serioze, procese që ndoshta do të jenë të gjata dhe sigurisht që do të na kushtojnë shumë, por do të nënkuptojnë një shtet më të mirë, më progresiv evropian, standard më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët”, tha liderja e re e PLD-së. Lidhur me hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri në të cilën edhe PLD është partner koalicioni, Zajkova tha se pret që formalisht të informohen për këtë nga partnerët e koalicionit dhe se “PLD është e hapur për të gjitha forcat progresive”. “PLD-ja do të bashkëpunojë dhe do të bëjë koalicion vetëm nëse është për të mirën e shtetit dhe qytetarëve”, shtoi kryetarja e re e Partisë Liberal Demokrate.

 

QËNDRONI TË LIDHUR