• e martë, 24 dhjetor 2024

“Mollëkuqja” mbajti ekspozitë në Tetovë dhe Gostivar: Ngacmuesit kanë emra dhe duhen dënuar

“Mollëkuqja” mbajti ekspozitë në Tetovë dhe Gostivar: Ngacmuesit kanë emra dhe duhen dënuar
Shkup, 25 qershor 2022 (MIA)- “Ngacmuesit kanë emra dhe duhen dënuar”, me këtë mesazh Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” sot në qendër të Tetovës dhe Gostivarit mbajti “Ekspozitën pa emër”. Qëllimi i kësaj ekspozite ishte që përmes ilustrimeve nga artisti “Rehatlliku” të theksohen ngacmimet me të cilat ballafaqohen vajzat në rrjetet sociale, pasi sot interneti ka krijuar një hapësirë "të sigurt" për ngacmuesit, të cilët zgjedhin ndonjëherë edhe të ngelin anonim apo të ngacmojnë me profile të rrejshme. “Me anë të kësaj ekspozite kemi për qëllim të ironizojmë me situatën reale duke bartur mesazhin nëpërmjet artit deri te ngacmuesit, institucionet shtetërore por edhe vetë vajzat dhe gratë. Ne kemi parë se sa joseriozisht policia në vendin tonë i trajton raportimet e vajzave për ngacmimet në rrjetet sociale. Shumë shpesh atyre ju thuhet se nuk do të njoftohen për emrin e ngacmuesit edhe nëse ai gjendet ose ju jepen informacione të gabuara. Vajzat duhet të kuptojnë që fajtori gjithmonë është ngacmuesi dhe jo viktima. Qëllimi jonë është fuqizimi i grave dhe vajzave për të raportuar ngacmimet në rrjete sociale”, tha Rita Behadini nga “Mollëkuqja”. Profesoresha e Fakultetit Juridik, Arta Selmani-Bakiu shprehet se pavarësisht se ekziston mosbesim në institucione, vajzat përsëri duhet t’i paraqesin rastet e ngacmimeve. “Dera e parë ku vajzat duhet të drejtohen në situata të ngacmimeve seksuale dhe ngacmimeve tjera është Ministria e Punëve të Brendshme. Është e vërtetë se ka mosbesim ku institucionet nuk kryejnë punën e tyre për të cilën ata edhe janë. Duhet të punohet shumë në këtë drejtim që vajzat fillimisht të mos frikësohen por t’i paraqesin këto raste. Duhet të ketë vepër konkrete penale që do të mbrohen nga ngacmimet seksuale në rrjet”, tha Selmani-Bakiu. Ekspozita u shfaq dje edhe në Çarshinë e vjetër të Shkupit. Ky aktivitet u realizua si pjesë e fushatës “SEEN”, në kuadër të projektit “Young Cities”, mbështetur nga Institute for Strategic Dialogue – ISD në bashkëpunim me Democracy Lab dhe Youth and Community Center – Gostivar.    

QËNDRONI TË LIDHUR