• e martë, 19 nëntor 2024

MMJPH: Kanë aplikuar dhe kanë marrë projekte edhe komuna që drejtohen nga kuadro të BDI-së dhe Frontit Evropian

MMJPH: Kanë aplikuar dhe kanë marrë projekte edhe komuna që drejtohen nga kuadro të BDI-së dhe Frontit Evropian

Shkup, 19 tetor 2024 (MIA)- Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) ka bërë të ditur se nga projektet e fundit të dedikuara për komunat për të cilat solli vendim ditë më parë edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në këtë ministri kanë aplikuar dhe kanë marrë projekte edhe komuna që drejtohen nga kryetarë të komunave edhe të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Frontit Evropian siç janë Komuna e Haraçinës, Komuna e Kërçovës, Komuna e Likovës, Komuna e Vrapçishtit, Komuna e Shutkës.

"Dhe kjo dëshmon vetëm një gjë - se në asnjë rast ne nuk jemi nisur nga parimi i përkatësisë partiake, por nga parimi që qytetarët t'i vendosim në rend të parë, pra të përfitojnë vetëm dhe vetëm qytetarët. Rrjedhimisht me sinqeritetin më të madh shprehim gatishmërinë tonë për Komunën e Sarajit që njëkohësisht udhëhiqet nga BDI, t’u ndihmojmë për përgatitjen e projekteve, andaj edhe është zgjatur afati i aplikimit edhe për 1 muaj që qytetarët të mund të përfitojnë nga këto projekte", thuhet në komunikatë.

Nga ministria theksojnë se do të jenë në shërbim të Komunës së Sarajit me të gjitha kapacitetet që të ndihmojnë edhe me çështje kadrovike e profesionale, pra me gjithë potencialin administrativ në krijimin e projekteve të mira dhe cilësore dhe t’i përfitojnë të njëtit dhe të kenë dobi qytetarët, sepse siç thonë "për ne aspak nuk është me rëndësi kush janë kryetarët e komunave".

"Për ne me rëndësi është që banorët e Sarajit të përfitojnë dhe t’u zgjidhen problemet e tyre dhe të kenë infrastrukturë më të mirë dhe të kenë një standard më të mirë jetësor. Pra potencojmë për fund se nuk do ta lëmë askënd. Neve nuk na intereson përkatësia partiake e kryetarëve të komunave, neve na intereson që të ndihmojmë që sa më shumë mjete të arrijnë tek çdo shqiptar dhe tek çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut", thuhet në komunikatën e MMJPH.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR