• e diel, 22 dhjetor 2024

Mitrevski nga Rada supreme e Ukrainës: Sikur edhe deri më tani në histori, vlerat demokratike do ta fitojnë historinë

Mitrevski nga Rada supreme e Ukrainës: Sikur edhe deri më tani në histori, vlerat demokratike do ta fitojnë historinë

Shkup, 24 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk, qëndron për vizitë njëditore në Ukrainë, në evenimentet kushtuar përvjetorit të dytë nga fillimi i agresionit ushtarak rus me përmasa të mëdha në territorin e Ukrainës. Në kuadër të vizitës, ai mbajti fjalim në seancën speciale të Kuvendit të Ukrainës.

Në fjalimin e tij para deputetëve ukrainas dhe mysafirëve të nderuar, kryetari Mitreski e konfirmoi mbështetjen dhe solidaritetin e vendosur, të qartë dhe vendimtar për Ukrainën, institucionet ukrainase dhe popullin ukrainas dhe theksoi se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë, dhe mbeten me qytetarët e Ukrainës për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që është e domosdoshme.

“Sot, më 24 shkurt, jemi këtu në Kiev për të dërguar mesazhe të forta paqeje, mirëkuptimi, tolerance dhe respekti për njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë për të dërguar mesazh po aq të fortë se bota demokratike është e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës në luftën për drejtësi, mbrojtje të territorit të saj dhe mbrojtje nga orekset perandorake të fqinjit të saj”, theksoi Mitreski

Mitreski konsideroi se agresioni rus kundër Ukrainës është paralajmërim për të gjithë se paqja, pavarësia dhe liria nuk duhet të merren si të mirëqena.

“Por, e gjithë kjo e keqe, gjithë kjo padrejtësi, nuk e shkatërroi shpirtin e Ukrainës, nuk e shkatërroi vullnetin e popullit të guximshëm ukrainas për t'i rezistuar këtij agresioni dhe për të luftuar për sovranitetin territorial të vendit të vet dhe për të ardhmen e tyre të pavarur dhe të lirë", shtoi ai.

Mitreski shprehu bindjen e patundur se, si edhe deri më tani gjatë historisë, vlerat demokratike do ta mposhtin agresionin dhe bashkëpunimi do të fokusohet në bisedimet për standard më të mirë të jetesës, prosperitet dhe zhvillim, bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor. mb/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR