• e enjte, 14 nëntor 2024

Miteva: Opinioni do të informohet për zgjidhjen e rrugës eurointegruese të vendit, nuk bëhet fjalë për diçka që mbahet sekret

Miteva: Opinioni do të informohet për zgjidhjen e rrugës eurointegruese të vendit, nuk bëhet fjalë për diçka që mbahet sekret

Shkup, 9 tetor 2024 (MIA) - Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva sot në konferencën për shtyp në Qeveri tha se kur të jetë gati vendimi se si do të vazhdojnë negociatat për rrugën e eurointegrimeve të vendit, opinioni do të informohet.

"Nuk bëhet fjalë për diçka që do të mbahet sekret. Përkushtimi i Qeverisë në lidhje me proceset eurointegruese është gjithmonë i hapur për qytetarët me kushte të shprehura qartë. Kur të krijohen kushte, opinioni do të informohet", tha Miteva.

Partia më e madhe opozitare nga blloku maqedonas sot përsëri ka kërkuar nga Qeveria që të deklarohet se cili është plani për procesin e eurointegrimit në vend.

Lideri i LSDM-së Venko Filipçe në një deklaratë për media tha se në periudhën e ardhshme do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat, duke përfshirë edhe thirrjen e seancës parlamentare me qëllim për të siguruar përgjigje nga kryeministri për eurointegrimet e vendit.

"Ne patjetër të dimë se cili është plani i Qeverisë, nëse ka në përgjithësi, pra si do të vazhdojmë rrugën e eurointergimeve. Ideja jonë për një seancë parlamentare është që Parlamenti është vendi ku merren vendimet. Kryeministri ka shumë paralajmërime për një lloj mbështetje nga disa vende për ndryshimin e kornizës negociuese me të cilën gjoja do të përmirësonte situatën e vendit tonë në procesin e eurointergimeve, por e gjithë kjo është e mbështjellë me një lloj misteri dhe ne nuk i dimë detajet. Kryeministri këtë e ka për detyrë t'ua kumtojë përfaqësuesve të popullit dhe qytetarëve. Tani që ai në mënyrë të njëanshme ka ndalur rrugën e eurointegrimeve, diçka për të cilën nuk ka asnjë të drejtë politike, etike apo morale, ai duhet të bëjë diçka që shumica dërrmuese e qytetarëve e pret. Më vjen keq që ministri i tij Murtezani e demantoi kryeministrin në deklaratat e tij se gjoja ka paralajmërime për mbështetje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar, sepse vetë ministri tha se në BE në asnjë shtet nuk ka disponim për një gjë të tillë. Ato deklarata konfuze, ato tone disonante në Qeveri të cilët krijojnë përshtypjen e një perspektive jo të plotë duhet të zbardhen në Kuvend. Ne patjetër duhet të dimë se cili është plani i Qeverisë, nëse ka në përgjithësi, si do të vazhdojmë rrugën e eurointegrimeve", ka thënë Filipçe. rq/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR