• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mishell zyrtarisht e caktoi Samitin joformal të BE-së në Granada - në mesin e temave edhe e ardhmja e Unionit të zgjeruar

Mishell zyrtarisht e caktoi Samitin joformal të BE-së në Granada - në mesin e temave edhe e ardhmja e Unionit të zgjeruar

Bruksel, 3 tetor 2023 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishell mbrëmë u dërgoi ftesa liderëve të vendeve anëtare të BE-së për pjesëmarrje në Samitin joformal të Unionit, i cili do të mbahet të premten në qytetin spanjoll Granada në organizim të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sançez. 

"Ky takim ka një rëndësi të veçantë: jo vetëm që do të zhvillojmë dialog konstruktiv për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet aktualisht Bashkimi ynë, siç është migrimi, por ky takim shënon fillimin e një procesi të rëndësishëm reflektimi mbi prioritetet e ardhshme të Unionit tonë. Duke filluar nga Granada, diskutimet tona do të na lejojnë të hartojmë kolektivisht kursin e Unionit, duke përcaktuar drejtimin dhe synimet e tij për vitet në vijim. Rezultati i procesit tonë të të menduarit në muajt e ardhshëm do të formojë agjendën strategjike 2024-2029" thekson Mishell në ftesën për të marrë pjesë në takimin e krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së.

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ai më tutje thekson se pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës para më shumë se 18 muajve, liderët e BE-së në takimin në Versajë u morrën vesh që të sigurojnë "mbështetje të palëkundur" për Kievin dhe vendosën kurs të ri strategjik për fuqizimin e sovranitetit të BE-së, duke u angazhuar që t'i fuqizojnë kapacitetet në mbrojtje, ta ulin varësinë energjetike nga Rusia dhe të ndërtojnë bazë më të fuqishme ekonomike në Union. 

"Në Granada, është koha për të parë prapa dhe për të vlerësuar në mënyrë kritike progresin në forcimin e sovranitetit tonë evropian, duke identifikuar arritjet tona si dhe fushat që kërkojnë ende veprimin tonë politik. Është gjithashtu koha për të parë nga e ardhmja, për të identifikuar sfidat e ardhshme me të cilat do të përballemi dhe për të përcaktuar strategjinë tonë për të kapur të gjitha mundësitë që na presin dhe për të siguruar qëndrueshmërinë dhe konkurrencën e BE-së në këtë mjedis gjeopolitik në ndryshim", shton Mishell.

Ai në ftesë shton se krahas kësaj "agjende strategjike", pjesë përbërëse e këtij diskutimi do të jetë edhe e ardhmja e Bashkimit Evropian të zgjeruar dhe "pasojat që mund t'i tërheqë ky zgjerim" edhe për vetë BE-në edhe për aspirantet për anëtare. 

"Është me rëndësi jetike që ta shqyrtojmë dinamikën e ardhshme të Unionit tonë, politikat tona dhe miratimin e vendimeve, mes tjerash, që të sigurojmë sukses të vazhdueshëm të BE-së. Veçanërisht do të flasim për çështjet kritike, siç janë: Çka bëjmë bashkë? Si vendosim? Si t'i harmonizojmë mjetet tona me ambiciet tona?", potencoi Mishell në ftesë. 

Samiti joformal i BE-së do të fillojë me takim të liderëve me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecolla, pas çka do të vazhdojë me diskutimet për rendin e propozuar të ditës. 

Samiti i BE-së, do të mbahet një ditë pas takimit të Bashkësisë Politike Evropiane, të caktuar për të enjten në Granada. fc/

Fotografia: Këshilli i BE-së

QËNDRONI TË LIDHUR