• e premte, 05 dhjetor 2025

Misajlovski: Jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën, por duhet të kujdesemi edhe për Armatën tonë

Misajlovski: Jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën, por duhet të kujdesemi edhe për Armatën tonë

Bruksel, 15 tetor 2025 (MIA) - Ne si shtet jemi të gatshëm të vazhdojmë me mbështetjen për Ukrainën, por nuk mund të jepet vazhdimisht, pa pasur zëvendësim për atë që kemi dhënë, sepse mbi të gjitha, më e rëndësishmja është atdheu ynë, tha nga Brukseli ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski në një deklaratë për MIA-s. 

"Në të kaluarën si shtet kemi dhënë shumë pako, por unë hyj shumë me kujdes dhe jap deklarata lidhur me këtë, sepse ajo që është dhënë si burim nga ana jonë, duhet të zëvendësohet. Nuk mund të jepet vazhdimisht pa u zëvendësuar. Vlerësoj se kjo është e drejtë, sepse unë jam ministër i Maqedonisë së Veriut dhe duhet të kujdesem për ushtrinë e Maqedonisë dhe popullin e  Maqedonisë", theksoi Misajlovski, i cili sot në Bruksel po merr pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Misajlovski theksoi se në NATO përsëri po riforcohet çështja e mbështetjes për Ukrainën, sepse ushtria dhe vetë shteti ukrainas kanë nevoja të mëdha për burime shtesë, prandaj ekziston një procedurë për blerjen e pajisjeve për nevojat e Kievit përmes SHBA-së, si dhe iniciativa të tjera për mbështetje përmes pakove ndihmëse ose mjeteve financiare.

Ministri theksoi se vendi aktualisht po punon në disa iniciativa me vende të ndryshme në kuadër të së cilës bisedohet për ndihmë, si dhe për marrjen e fondeve shtesë në formën e granteve.

"Shpresoj që në periudhën në vijim të bëjmë hapa të mira ku do të sigurojmë shumë fonde për të përmirësuar gjendjen në vendin tonë, dhe pastaj mund të flasim për mbështetje shtesë (për Ukrainën). Pra, ndihmë po, por jo me çdo kusht, sepse më i rëndësishëm është atdheu ynë", tha ministri.

Misajllovski theksoi se miqtë tanë në NATO kanë mirëkuptim për një qëndrim të tillë dhe se jemi të gatshëm të ndihmojmë, por edhe se përmes iniciativave të tjera të sigurojmë shumë fonde shtesë për Armatën. 

Ndër këto iniciativa, si një nga opsionet e mundshme është edhe instrumenti i BE-së, Veprimi i sigurisë për Evropën (SAFE), përmes të cilit mund të aplikohet për fonde për blerje të përbashkët të pajisjeve të ndryshme.

"Diskutojmë edhe në atë fushë, por më e rëndësishme është të keni fonde në buxhetin tuaj për të blerë pajisje. Ne e bëjmë këtë çdo vit me rritjen e buxhetit. Për vitin e ardhshëm projektojmë një buxhet më të lartë, kuptohet, të shohim se si do të jenë rrethanat", tha Misajllovski. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR