Misajllovski - Pirc Musar: Mbrojtja është pjesë përbërëse e procesit të integrimit evropian
- Në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski është takuar me presidenten sllovene Natasha Pirc Musar, me të cilën ka biseduar për përfundimin e proceseve integruese të vendit.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:24, 17 shkurt, 2025

Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) - Në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski është takuar me presidenten sllovene Natasha Pirc Musar, me të cilën ka biseduar për përfundimin e proceseve integruese të vendit.
Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, gjatë takimit nga presidentja Musar është konfirmuar mbështetje e qartë dhe pa mëdyshje për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.
Ministri Misajllovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore nga Republika e Sllovenisë dhe ka theksuar se bashkëpunimi i ndërsjellë vazhdon të ndërtohet me synime të sinqerta në drejtim rritës. Ai gjatë bisedës ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë një hap përpara sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë.
"Të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se mbrojtja është pjesë integrale e procesit të integrimit evropian dhe se vetëm me integrim të plotë në Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor mund të jetë i prosperues dhe i qëndrueshëm", thuhet në kumtesë.
Misajllovski paraprakisht, në vilën Podrozhnik, pjesëtarëve të policisë sllovene, ushtrisë dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Zgjidhje, së bashku me kryetarin e Komunës së Novosellës, Gjorgje Bozhinov, iu dhuroi pllakata dhe mirënjohje për sakrificën dhe profesionalizmin e tyre.
"Me të vërtetë më vjen mirë që para meje shoh heronj dhe nga zemra e atdheut tim, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë, ju falënderoj me gjithë zemër", tha Misajllovski.
Gjatë vizitës, ministri Misajllovski vendosi kurorë me lule në monumentin përkujtimor Pomnik '91, për të rënët në luftën për Slloveninë në vitin 1991, si dhe vizitoi disa nga kapacitetet e mbrojtjes sllovene.
Foto: Ministria e Mbrojtjes