Misajllovski dhe Lafçiski në stërvitje simulimi në Komandën e SEEBRIG në Veles dhe të stërvitje në teren në Krivollak
- – Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral Sashko Lafçiski sot marrin pjesë në stërvitjen “Seven Stars 25” e cila realizohet në kazermën “Alekso Demnievski – Bauman” në Veles ku është akomoduar edhe Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore – SEEBRIG, përderisa stërvitjet në teren mbahen në Poligonin e Armatës Krivollak.
- Post By Fitore Curri
- 14:28, 10 prill, 2025

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) – Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral Sashko Lafçiski sot marrin pjesë në stërvitjen “Seven Stars 25” e cila realizohet në kazermën “Alekso Demnievski – Bauman” në Veles ku është akomoduar edhe Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore – SEEBRIG, përderisa stërvitjet në teren mbahen në Poligonin e Armatës Krivollak.
“Sot patëm mundësi të shohim se si përballen bashkërisht me të gjitha rreziqet, por edhe një simulim se si i trajtojnë ato. Stërvitja vazhdon në Krivollak, ku do të shohim edhe aktivitete në terren. Në këtë stërvitje marrin pjesë drejtpërdrejt mbi 200 persona, të cilët mund të shohim se si ballafaqohen bashkërisht me të gjitha dukuritë e padëshiruara, por edhe si të vendoset paqja më pas, gjë që është shumë e rëndësishme”, deklaroi Misajllovski pas stërvitjes simuluese.
Në këtë mënyrë, shtoi, përmirësohen edhe aftësitë e armatës sonë, por gjithsesi edhe bëjmë ndërveprueshmëri me armatat e tjera.
Saktëson se në stërvitje përveç ushtarëve tanë, marrin pjesë edhe ushtarë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Turqia.
Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral Lafçiski e vlerësoi stërvitjen simuluese si të suksesshme dhe shtoi se ndërveprueshmëria në mesin e të gjithë pjesëmarrësve ishte në nivel të kënaqshëm.
“U arrit gjithçka që lidhej me vetë skenarin, për të demonstruar ndërveprueshmëri dhe në të njëjtën kohë për të demonstruar koordinimin dhe mënyrën e komandimit dhe kontrollit nga Shtabi i Brigadës me njësitë. Shpresojmë se gjatë stërvitjes në terren do të realizohen të gjitha synimet për të pasur një përfundim të mirë të stërvitjes”, tha Lafçiski.
Theksoi se sipas skenarit në segmentin më të madh në stërvitjen në teren marrin pjesë njësite të vendit nikoqir, gjegjësisht nga armata e Maqedonisë së Veriut, më konkretisht batalionit të dytë.
“Do të zgjidhin detyra sipas skenarit - patrullim, disa pika kontrolli, reagim ndaj kontaktit. Këto janë kryesisht disa ngjarje në të cilat do të ketë incidente të caktuara, të cilat pjesëtarët e ushtrisë, të cilët janë pjesë e kësaj stërvitje, do të duhet t'i zgjidhin”, sqaroi Lafçiski.
Në stërvitjen në teren, shtoi, 90 për qind janë pjesëmarrës nga batalioni i dytë, domethënë nga armata e Maqedonisë së Veriut, ndërsa komandën dhe kontrollin do ta ketë shtabi multikombëtar i SEEBRIG. fc/