• e shtunë, 23 nëntor 2024

Miratohet Ligji i ri evropian për liri të mediave

Miratohet Ligji i ri evropian për liri të mediave

Bruksel, 26 mars 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot në instancën e fundit e miratoi Ligjin evropian për liri të mediave, i cili ka për qëllim mbrojtje të lirisë së mediave, pluralizmit mediatik dhe pavarësinë e politikës redaktuese në Union.

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, me Ligjin evropian për liri të mediave (EMFA) vendoset kornizë e përbashkët për shërbime mediatike në nivel të BE-së dhe vendosen masa drejt mbrojtjes së gazetarëve dhe mediave nga përzierja politike, ndërsa njëkohësisht duhet të kontribuojë për lehtësim të punës së tyre. 

Rregullat e reja e garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në informacione falas nga më shumë burime dhe e definojnë përgjegjësinë e vendeve anëtare të sigurojnë kushte dhe kornizë adekuate për mbrojtje të gazetarëve dhe mediave. 

Sipas ministrit flaman për mediat dhe uljen e varfërisë Benjamin Dale, mediat e pavarura janë element vital i çdo shoqërie të lirë dhe demokratike. 

"Miratimi i sotëm i Ligjit e tregon përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së për mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë dhe pluralizmit të mediave", shtoi Dale.

Miratimi i rregullores përfaqëson përgjigje për shqetësimin e rritur në BE për politizim të mediave, për mungesën e transparencës rreth pronësisë së shtëpive mediatike dhe për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve shtetërore për reklamim.

Me Ligjin, vendosen masa mbrojtëse për luftë kundër përzierjes politike në politikën redaktuese të mediave, për mbrojtje të gazetarëve dhe burimeve të tyre të informacioneve dhe për garantimin e lirive mediatike dhe pluralizmit.

Ligji bazohet në dispozitat e Direktivës së Shërbimeve Mediatike Audiovizuele 2018 dhe me këtë vendoset një Bord i pavarur Evropian për Shërbime Mediatike, i cili do të zëvendësojë Grupin e Rregullatorëve Evropianë për Shërbimet Mediatike Audiovizuele (ERGA) të krijuar në bazë të kësaj direktive. Bordi Evropian i Shërbimeve Mediatike do të përbëhet nga përfaqësues të autoriteteve kombëtare të medias dhe do të këshillojë dhe mbështesë Komisionin dhe do të promovojë zbatimin e qëndrueshëm të dispozitave kryesore të ligjit, duke përfshirë dhënien e mendimeve dhe ndihmën e KE-së në përgatitjen e udhëzimeve të caktuara.

Ligji evropian për liri të mediave do të hyjë në fuqi 20 ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Këshilli i BE-së thekson se liria e mediave dhe pluralizmi janë të vendosura në Kartën për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por disa raporte të fundit tregojnë për politizimin e mediave, transparencës së pamjaftueshme rreth pronësisë së mediave dhe pavarësisë së autoriteteve mediatike kombëtare. 

Miratimin e Ligjit evropian për liri të mediave e paralajmëroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në paraqitjen e saj para PE-së për Gjendjen në Union në vitin 2021. Komisioni e publikoi Propozim-ligjin më 16 shtator 2022, ndërsa versioni i tij përfundimtar ishte harmonizuar ndërmjet Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian më 15 dhjetor të vitit të kaluar. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR