• e hënë, 23 dhjetor 2024

Miratohen ndryshimet në Direktivën për lejen e vetme për punë dhe qëndrim të të huajve në BE

Miratohen ndryshimet në Direktivën për lejen e vetme për punë dhe qëndrim të të huajve në BE

 Bruksel, 12 prill 2024 (MIA)  - Këshilli Evropian sot në fazën përfundimtare e miratoi rishikimin e Direktivës për lejen e vetme për punë dhe qëndrim në BE për shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të Unionit, me të cilën përcaktohet procedura administrative për marrjen e dokumentit dhe janë përcaktuar të drejtat të cilat  i kanë punëtorët nga shtetet e treta.

Qëllimi i ndryshimeve është që të tërhiqen kuadrot të aftë profesionalisht dhe të talentuar që i nevojitet BE-së dhe në të njëjtën kohë të kapërcehen disa nga mangësitë lidhur me migrimin legal në Union. Me to shkurtohet procedura për aplikim për leje dhe forcohen të drejtat e punëtorëve nga jashtë. 

 Sipas Direktivës së rishikuar, organet kompetente duhet të lëshojnë lejen ose ta refuzojnë kërkesën për lëshimin e saj në afat  prej tre muajve nga dorëzimi i aplikimit të plotësuar. Si përjashtim,  në rast të "aplikimeve komplekse" ky afat mund të zgjatet edhe për 30 ditë shtesë.

Risi në Direktivë është se personat që marrin një leje të vetme do të mund të ndryshojnë punëdhënësin, që ka qenë bazë për dhënien e saj, por për këtë duhet t'i njoftojnë autoritetet. Vendeve anëtare u lihet mundësia në nivel kombëtar të rregullojnë një periudhë minimale  në të cilën punëtori i huaj duhet të punojë tek një punëdhënës i cili ka qenë garantues për lëshimin e lejes. 

 Me rishikimiin vendosen  edhe rregulla nëse punëtorët e huaj që posedojnë një leje të vetme për  punë dhe qëndrim në BE mbesin pa punë. Atyre u lejohet të qëndrojnë në territorin e shtetit anëtar në të cilin ndodhen më shumti tre muaj në periudhën e vlefshmërisë së lejes ose më së shumti deri në gjashtë muaj nëse dokumenti është miratuar më shumë se dy vjet më parë.

Direktiva e ndryshuar do të hyjë në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Vendet anëtare të BE-së do të kenë afat prej dy viteve për t'i vendosur dispozitat nga Direktiva në legjislacionet e tyre kombëtare. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR