• e premte, 05 dhjetor 2025

Mirënjohje për dibranin nga SHBA-ja i cili dhuroi 50 mijë dollarë për spitalin e Dibrës 

Mirënjohje për dibranin nga SHBA-ja i cili dhuroi 50 mijë dollarë për spitalin e Dibrës 

Dibër, 24 qershor 2025 (MIA) - Në ambientet e Spitalit të Përgjithshëm me veprim të zgjeruar në Dibër, dibranit Selaudin Erbeli, i cili jeton dhe punon në SHBA, iu nda një mirënjohje për kontributin e tij në përpjekjet për përmirësimin e kushteve në këtë institucion shëndetësor. 

"Ishte nder dhe kënaqësi të pres Selaudin Erbelin, bashkëqytetarin tonë, i cili jeton dhe punon në SHBA që nga viti 1968. Arsyeja e këtij takimi ishte t'i shprehë mirënjohjen time dhe në emër të punonjësve për donacionin prej 50 mijë dollarësh që dha për zgjerimin dhe rindërtimin e ambienteve të urgjencës dhe ndihmës së parë në spitalin tonë, që nuk është donacioni i parë për institucionin tonë", tha Mersim Koleci, drejtor i spitalit.

Duke ia dorëzuar mirënjohjen, ai shprehu falënderim të veçantë edhe në emër të banorëve të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, të cilët me veprimtarinë e vet i mbulon spitali. 

"Vazhdojmë çdo ditë pa ndërprerje në përmirësimin e kushteve dhe sigurimin e shërbimeve cilësore për pacientët, por edhe në përmirësimin e kushteve për punonjësit", njoftoi Koleci.

Në spital shërbime marrin edhe banorët e zonave të Rekës së Poshtme, komunës Mavrovë dhe Rostushë, turistë, ish banorë dhe familjarët e tyre të cilët jetojnë kryesisht në Shkup, ndërsa në periudhën më të ngrohtë të vitit janë në vendbanimet nga ku vijnë, si dhe sigurisht punëtorët sezonal që qëndrojnë në mënyrë masive gjatë periudhës së verës. qa/

Foto: Spitali i Përgjithshëm

 

QËNDRONI TË LIDHUR