Ministrja lituaneze e Mbrojtjes dha dorëheqje pas një mosmarrëveshje me kryeministren për buxhetin për mbrojtje
- – Ministrja lituaneze e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene deklaroi sot se ka dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshje në qeveri rreth shumës së shpenzimeve ushtarake në buxhetin e ardhshëm të këtij vendi anëtar baltik të NATO-s.
- Post By Fitore Curri
- 19:25, 22 tetor, 2025
Uilnius, 22 tetor 2025 (MIA) – Ministrja lituaneze e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene deklaroi sot se ka dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshje në qeveri rreth shumës së shpenzimeve ushtarake në buxhetin e ardhshëm të këtij vendi anëtar baltik të NATO-s.
Në një publikim në Fejsbuk, Sakaliene e theksoi mospajtimin e saj me kryeministren Inga Ruginiene, e cila, gjithashtu, është nga Partia Socialdemokrate (LSDP).
Të dyja kemi “qëndrime të ndryshme themelore për atë si të fuqizohet mbrojtja”, shkroi ministrja në dorëheqjen e saj.
Nga ana e saj, kryeministrja e përshkroi dorëheqjen si të pashmangshme, duke theksuar se nuk mund të lejojë “të paraqiten keqkuptime dhe probleme në një sferë aq të rëndësishme, siç është mbrojtja”.
Marrëdhëniet mes të dyja funksionareve nuk ishin të mira as më parë, por takimi në Ministrinë e Mbrojtjes javën e kaluar me analistët për shpenzimet për vitin 2026 duket se e përshpejtoi mosmarrëveshjen.
Pas takimit, disa analistë deklaruan se qeveria nuk do të mund ta mbajë premtimin e saj për shpenzim të pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje, që ishte qëllimi fillestar. Kryeministrja beson se vendi mund të ndajë aq shumë mjete.
Në samitin e fundit në qershor në Hagë, NATO vendosi qëllim të ri për 32 vendet e saja anëtare të arrijnë pjesëmarrje prej pesë për qind nga PBB i dedikuar për mbrojtje deri në vitin 2035.
Gjatë vitit 2024, më shumë e një e katërta e vendeve të NATO-s mbetën nën qëllimin prej dy për qind të PBB-së për mbrojtje, që ishte qëllimi paraprak i Aleancës Atlantike. fc/
Foto: EPA