• e premte, 22 nëntor 2024

Ministria e Financave: Arrihet marrëveshje e përkohshme për krijimin e Mekanizmit të reformave dhe rritjes

Ministria e Financave:   Arrihet marrëveshje e përkohshme për krijimin e Mekanizmit të reformave dhe rritjes

Shkup, 4 prill 2024 (MIA) - Në BE u arrit marrëveshje e përkohshme ndërmjet presidencës së Këshillit të BE-së dhe përfaqësuesve të Parlamentit Evropian për rregullativën mbi krijimin e Mekanizmit të reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor, që është pjesë e Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian.

Siç informojnë nga Ministria e Financave, mekanizmi ka si qëllim përshpejtimin e proceseve eurointegruese në vendet e rajonit dhe duhet të miratohet nga Këshilli Evropian dhe eurodeputetët në procedurën e mëtejshme. 

 “Ky është hap shumë domethënës në miratimin e këtij instrumenti financiar të KE-së, me ç’rast duhet ta përshpejtojë procesin e eurointegrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti është një hallkë në këtë proces që përshpejton reformat përmes përkrahjes adekuate financiare për zbatimin e tyre. Pakoja ka vlerë prej 2 miliardë eurove mjete grant, që BE-ja do t'i destinojë drejt vendeve të rajonit në mënyrë që ato ta përshpejtojnë konvergjencën e tyre ekonomike me BE-në, ndërsa vendet, përfshirë edhe vendin tonë, do t'i shfrytëzojnë ato për zbatimin e reformave në periudhë sa më të shkurtër të mundshme”, nënvizoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Nga Ministria e Fianancave theksojnë se struktura nacionale në vend tashmë punon për Axhendën reformuese 2024-2027, e cila është pako gjithëpërfshirëse masash me hapa konkretë për arritjen e qëllimeve të parashikuara, të cilat i referohen fushave vijuese: reformat në administratën publike, menaxhimin e financave publike, tranzicionin e gjelbër, dixhital dhe energjetik, kapitalin njerëzor, mjedisin afarist dhe sundimin e ligjit. Në këtë drejtim përfshihen gjithashtu projektet infrastrukturore në fushën e transportit, energjetikës, transformimit dixhital dhe kapitalit njerëzor. 

"Axhenda reformuese në vend do të përkrahet përmes këtij instrumenti me mbi 800 milionë euro, me ç’rast këto mjete duhet të shfrytëzohen deri në fund të këtij viti. Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, si instrument i ri i Bashkimit Evropian për përkrahjen e eurointegrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor u promovua në fund të vitit 2023 dhe që atëherë punohet në mënyrë intensive mbi këtë proces", qëndron në kumtesë.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR