Ministri Tripunovski në Mal të Zi nënshkroi Protokoll për bashkëpunim me ministrin Jokoviq
- Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski dhe homologu i tij malazez Vladimir Jokoviq, sot në Mal të Zi nënshkruan Protokoll për bashkëpunim shkencor, teknik dhe ekonomik në fushën e bujqësisë ndërmjet ministrive.
- Post By Sara Ademi
- 14:53, 29 nëntor, 2024
Shkup, 29 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski dhe homologu i tij malazez Vladimir Jokoviq, sot në Mal të Zi nënshkruan Protokoll për bashkëpunim shkencor, teknik dhe ekonomik në fushën e bujqësisë ndërmjet ministrive.
Sipas Protokollit të nënshkruar, të dy vendet në fushën e bujqësisë (kopshtarisë, blegtorisë, pemëtarisë, vreshtarisë dhe mbrojtjes së bimëve), zhvillimit rural, veterinarisë, sigurisë ushqimore, industrisë ushqimore, menaxhimit të ujit dhe pylltarisë do të mundësojnë: shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit shkencor dhe teknik; shkëmbimin e rezultateve të hulumtimit të publikuara dhe verifikuara nga institucionet e autorizuara, si dhe vendosjen e aktiviteteve të drejtpërdrejta të përbashkëta të institucioneve të përmendura; shkëmbimin e materialit gjenetik dhe biologjik nga fusha e prodhimit bimor dhe blegtorisë.
Protokolli parashikon gjithashtu që dy ministritë të shkëmbejnë përvoja në politikën bujqësore, tregtinë e jashtme, masat specifike për të inkurajuar dhe mbrojtur prodhimin, bujqësinë dhe eksportin e produkteve bujqësore.
Gjithashtu, parashihet mbështetje dhe angazhim i përbashkët në krijimin, gjetjen e mjeteve për financimin dhe realizimin e projekteve rajonale; zhvillimin e organizatave të prodhuesve dhe shoqatave të fermerëve; zhvillimin e shërbimeve këshillimore dhe të tjera.
Për një periudhë prej një muaji pas nënshkrimit të Protokollit, do të formohet një grup i përbashkët pune, me detyrë monitorimin e vazhdueshëm dhe nxitjen e realizimit të bashkëpunimit.
"Në seancën e parë, anëtarët e Grupit Punues do të vendosin për planin e aktiviteteve në lidhje me fushat e dakorduara të bashkëpunimit. Grupi i punës do të mbajë takime të rregullta të paktën dy herë në vit në mënyrë alternative në të dy vendet. Në periudhën e ardhshme do të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave", njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave. sa/
Foto: MBPEU