• e premte, 05 dhjetor 2025

Ministri Limani dhe kryebashkiaku Gjeorgjievski nënshkruan marrëveshje granti për zgjerimin e kapaciteteve për arsimin parashkollor

Ministri Limani dhe kryebashkiaku Gjeorgjievski nënshkruan marrëveshje granti për zgjerimin e kapaciteteve për arsimin parashkollor

Shkup, 17 korrik 2025 (MIA)- Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski sot nënshkruan marrëveshjen për grant si pjesë e Thirrjes së dytë publike për ndarjen e granteve, mbi zgjerimin e kapaciteteve të institucioneve për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore.

Kjo Thirrje publike zbatohet në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të cilin e zbaton ministria me mbështetje të Bankës Botërore dhe synon njërin ndër qëllimet kryesore - rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsim parashkollor cilësor dhe të qasshëm.

Në kuadër të Thirrjes së dytë publike drejtuar komunave dhe komunave të qytetit të Shkupit, aplikuan gjithsej 15 komuna. Projekti synon ta zgjerojë qasjen drejt shërbimeve për kujdesin dhe për edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore si dhe përgjithësisht ta përmirësojë cilësinë e shërbimeve parashkollore në shtetin tonë.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së sotme, ministria siguron burime financiare në vlerë prej një milion e treqind e pesëdhjetë mijë denarë, përfshirë TVSH-në (1.350.000,00) për përshtatje dhe pajisje të hapësirës së Bashkësisë lokale 'Podstanica' në fshatin Draçevë me çka do të zgjerohet kapaciteti për kujdesin e fëmijëve nga 1 deri në 6 vjeç. Investimi i tillë do të mundësojë krijimin e kushteve të reja për kujdesin e më shumë se 40 fëmijëve gjë që përfaqëson mbështetje të konsiderueshme për familjet e reja dhe investim në të ardhmen e shoqërisë”, theksoi ministri Limani.

Limani e theksoi angazhimin e Komunës së Kisella Vodës e cila me aplikimin në kohë dhe gatishmërinë e saj për zbatim të projektit, dëshmoi se vetëqeverisja lokale mund të jetë një nxitës i ndryshimeve pozitive, të drejtuara drejt nevojave reale të qytetarëve.

“Besojmë se me këtë bashkëpunim po japim shembull të partneritetit të suksesshëm ndërmjet qeverisjes qendrore dhe lokale, i cili shpie drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sistemeve të kujdesit social dhe të arsimit”, tha mes tjerash, ministri Limani.

Në periudhën vijuese, Ministria do të vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm në realizimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara, si dhe do të punojë në ofrimin e shërbimeve me cilësi më të lartë, më të arritshme dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe familjet e tyre në të gjithë vendin.

Foto: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve

QËNDRONI TË LIDHUR