• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ministri italian i Punëve të Jashtme Tajani nesër për vizitë zyrtare në vend

Ministri italian i Punëve të Jashtme Tajani nesër për vizitë zyrtare në vend

Shkup, 9 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informoi se nikoqir i Tajanit do të jetë Mucunski, me të cilin pritet të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe shumëpalësh, kontributin e përbashkët për paqen. si dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen nga Republika Italiane për vendin tonë.

Siç informojnë nga Ambasada e Italisë në Shkup, Tajani pritet të ketë takime me presidenten e vendit Gordana Siljanovska Davkova, kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

"Maqedonia e Veriut është një partner kyç në sigurimin e një të ardhmeje të begatë dhe stabilitetit për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne po punojmë për të kapërcyer çdo pengesë në rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ekziston një potencial i madh për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, duke filluar nga bashkëpunimi në strategji dhe sektorë me vlerë të lartë të shtuar", tha Tajani para vizitës në Shkup.

Takimi i Tajanit me kreun e shtetit, shtojnë ata, është një konfirmim i angazhimit të vazhdueshëm të Italisë për zhvillimin, stabilitetin dhe ndjekjen e integrimit evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Ballkani Perëndimor është një prioritet i politikës sonë të jashtme, të cilës i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme, edhe në nivel shumëpalësh, duke kryesuar me grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me të cilët do të takohem sërish në Nju Jork pas disa ditësh", thotë Tajani. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR