• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ministri i Shëndetësisë me drejtorët e FSSH-së dhe Onkologjisë do të kërkojnë zgjidhje për problemet e Klinikës

Ministri i Shëndetësisë me drejtorët e FSSH-së dhe Onkologjisë do të kërkojnë zgjidhje për problemet e Klinikës

Shkup, 5 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, e vizituan Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup. Sot pasdite me disa nga të punësuarit dhe me drejtorin Igor Stojkovski biseduan për problemet me të cilat ballafaqohet Klinika, e më pas theksuan se do të kërkojnë zgjidhje të shpejta që qytetarët të kenë shërbim shëndetësor sa më cilësor.

Për javën e ardhshme, siç u sqarua, është caktuar një takim i ri, për të përgatitur një raport të veçantë dhe në Qeveri të diskutohet për problemet e Klinikës, veçanërisht rreth deficitit të stafit.

"Gjithashtu biseduam edhe se si mund të aktivizojmë sa më parë ambulancat në Tetovë, SHQP “8 Shtatori” dhe në Manastir. Edhe atje ka mungesa të caktuara të stafit, sqaroi ministri.

Taravari theksoi se do të insitojë të lejohen punësimet, me qëllim që të mos mbingarkohet stafi i punësuar.

"Fatkeqësisht shumë nga stafi po largohen, megjithatë, më njoftojnë se kemi staf që mund ta aktivizojmë menjëherë. Edhe fizikantë edhe teknologë edhe mjekë edhe infermiere. Por, normalisht, që ky staf të jetë ashtu siç duhet, duhen muaj e vite", shtoi ministri.

Ai informoi se sot do të vizitojë edhe Institutin e Patologjisë për të parë se si janë gjërat atje. Të hënën paralajmëroi takim edhe me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, pasi mendon se duhet një strategji për specializime. Ndër të tjera u bë e ditur se po mendohet se si të motivohen mjekët që të specializohen sa më shumë në onkologji dhe patologji.

Drejtori i Klinikës Stojkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se ka pasur një problem me njërin prej ilaçeve të destinuara për pacientët e kësaj klinike. 

"Jemi duke punuar për zgjidhjen e problemit dhe shpresojmë që ilaçet të jenë në dispozicion sa më shpejt", tha Stojkovski.

Drejtori i FSSH-së, Klekovski theksoi se për të gjitha sferat, beson se qytetarët meritojnë ilaçe të gjeneratës së fundit, e jo të 30 viteve më parë. Ai tha se planifikojnë të komunikojnë jo vetëm me shoqatën e pacientëve të kësaj klinike, por edhe me ata të diabetit dhe të gjitha sëmundjeve tjera.

Pacientja Ana Marjanoviq në deklaratë për MIA-n tha se për pacientët e cilësdo klinikë, përfshirë edhe Onkologjinë dhe Hematologjinë, më e rëndësishme është zgjidhja e shpejtë e Listës pozitive të ilaçeve, presin ndryshime dhe të shihen rezultatet.

"Ne i bashkohemi shoqatës “Hemaonko” për të bërë diçka më shumë për pacientët onkologjikë. Dhe ajo që ne e konsiderojmë më të rëndësishme në këtë moment është të dëgjojmë dhe të bashkëpunojmë me shoqatën dhe me pacientët, sepse problemet i dimë më së miri nga dora e parë", nënvizoi Marjanoviq.

Ajo tha se planifikojnë të krahasojnë listat e tyre me ato të autoriteteve, se cilat ilaçe duhet të futen në Listën Pozitive, për të parë nëse kjo është ajo që kërkojnë si pacientë, sepse diku jashtë ka treguar rezultate shumë të mira. ls/

Foto dhe video: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR