• e premte, 06 shtator 2024

Ministri Andonovski e prezantoi agjendën digjitale të Maqedonisë në Forumin Ekonomik në Poloni

Ministri Andonovski e prezantoi agjendën digjitale të Maqedonisë në Forumin Ekonomik në Poloni

Shkup, 5 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë pjesëmarrjes në edicionin e 33-të të Forumit Ekonomik në Karpaç, Poloni, pati një sërë aktivitetesh, duke përfshirë një prezantim në seancën plenare qendrore "Evropa Qendrore dhe Lindore: Një lider i ri në inovacionin digjital”, ku diskutoi për transformimin digjital, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian përmes digjitalizimit.

Duke folur për këtë temë, ministri Andonovski e theksoi formimin e Ministrisë për transformim digjital si shenjë e qartë se transformimi digjital është prioritet kryesor i Qeverisë së Maqedonisë.

 

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë segment, kumtuan sot nga Ministria e Transformimit Digjital, Andonovski ka theksuar se sukseset e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore shërbejnë si frymëzim dhe model për Republikën e Maqedonisë. Ai përmendi pjesëmarrjen proaktive të vendit në nismat aktuale rajonale digjitale dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në fushën e digjitalizimit.

"Andonovski posaçërisht iu referua gjithëpërfshirjes në transformimin digjital, duke theksuar se Republika e Maqedonisë përpiqet të krijojë zgjidhje digjitale që janë të lehta për t'u përdorur dhe të sigurta për të gjithë qytetarët. Në këtë kuadër, ai theksoi angazhimin e qeverisë për zhvillimin e aftësive digjitale, me fokus të veçantë tek të rinjtë, por në të njëjtën kohë tek qytetarët e moshuar, thuhet në njoftim.

Duke folur për integrimin evropian, ministri theksoi se respektimi i standardeve dixhitale të BE-së është një hap kyç drejt integrimit tonë në atë drejtim. U theksua se ky proces jo vetëm që përgatit vendin për anëtarësim në BE, por krijon një mjedis të favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin teknologjik.

"Qëllimi ynë është që Republikën e Maqedonisë ta shndërrojmë në destinacion tërheqës për investime dhe inovacione teknologjike", tha ministri, duke shtuar se kjo do të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës në ekonominë digjitale. Andonovski theksoi se Republika e Maqedonisë është e gatshme të jetë pjesëmarrëse aktive në transformimin digjital të rajonit.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e digjitalizimit, duke theksuar se progresi i përbashkët në këtë fushë do të kontribuojë në një konkurrencë më të madhe dhe prosperitet të gjithë kësaj pjese të Evropës.

"Pjesëmarrja e ministrit në këtë forum prestigjioz konfirmon përkushtimin e Republikës së Maqedonisë për zhvillim të përshpejtuar digjital dhe ambicien e saj që të bëhet faktor i rëndësishëm në ekonominë digjitale të rajonit dhe më gjerë në Evropë", kumtuan nga Ministria e Transformimit Digjital.

Në kuadër të Forumit, në agjendën e ministrit Andonovki është parashikuar edhe takim dypalësh me homologun e tij polak, nënkryetarin e Qeverisë dhe ministri për çështje digjitale, Kristof Gavkovski.

Forumi ekonomik në Karpaç bashkon më shumë se 100 kompani të mëdha botërore. Gjatë tre ditëve të takimeve dhe diskutimeve, pothuajse 6.000 të ftuar do të marrin pjesë në mbi 500 ngjarje. ls/

Foto: Kabineti i Ministrit i transformimit digjital 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR